Ashton takon Thaçin: Miratoni ligjin për Amnistinë


E mërkurë, 10 Korrik 2013

PRISHTINE- Baronesha Catherine Ashton ka përgëzuar palët në dialog dhe ka kerkuar miratimin e ligjit per Amnisti, duke theksuar “me rëndësi është miratimi i ligjit”.

“Nuk dua të hyj në debate për përmbajtjen e brendshme të projektligjit të hartuar nga Qeveria. Kjo i mbetet Kryeministrit, Qeverisë së tij dhe Kuvendit, mirëpo dua të them se miratimi i tij është i rëndësishëm”, tha Ashton.

Duke folur për të njëjtin projektligj, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të përmbushe të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e prillit dhe dialogu përfshirë këtu edhe miratimin e Ligjit për Amnisti.

“Të gjithë t’i lënë anash interesat elektorale apo partiake, por ta mbështesin ligjin”, tha kryeministri, ndersa shtoi se Kosova nuk është vendi i parë që po e miraton një ligj të tillë.
“Këtë ligj e ka miratuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina – madje edhe Serbia në vitin 2001. I ftojë të gjithë ata që kanë dyshime që ta lexojnë ligjin serish dhe ta lexojnë mirë. Ligji për amnisti është akt politik drejt pajtimit dhe paqes drejt njerëzve. Në rrethanat çfare jemi ne dhe duke marrë për bazë edhe marrëveshjen e prillit miratimi i këtij ligji është standard”, tha ai.

Thaçi dhe Ashton po ashtu kanë folur edhe arritjet e dialogut dhe për takimin e fundit në Bruksel duke thënë se ka mbetur edhe disa çështje teknike për t’u formalizuar sa i përket çështjes energjisë dhe telekomit.

E pyetur në rast se beson se palët do të arrijnë zbatimin e marrëveshjes së prillit në afatet e përcaktuara kohore Ashton u përgjigj:

“Po, unë besojë”, tha ajo duke qeshur.

Takimi me Jahjagen

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton ka takuar Presidenten Atifete Jahjaga derisa për pak minuta pritet të takohet edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Ashton sot po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Gjatë ditës së sotme përveç takimeve me Jahjagan dhe Thaçin ajo pritet takojë edhe udhëheqës të partive politike në një drekë që shtron Kreu i Qeverisë për nder të Baroneshës Ashton.

Kjo vizitë bëhet pasi të hënën në mbrëmje në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqi, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Ndërkohë, dje Ashto ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin Tomisllav Nikolic dhe kryeministrin serb, Ivica Daçiq.

Ajo ka përshëndetur përparimin e arritur në bisedimet me Kosovë dhe ka theksuar se ka qenë e kënaqur kur anëtarëve të BE-së iu ka prezantuar atë përparim, si dhe atë që ka mundur të thotë se ekzistojnë rezultate konkrete në implementimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Dje, për herë të 13-të kam takuar kryeministrat Daçiq dhe Thaçi dhe do t’i takoj sërish, bisedimet do të vazhdojnë në javën dhe muajt para neve. Nuk do të ketë pushim veror për të gjithë, sepse duhet të tregojmë përparim”, ka thënë Ashton.

Në anën tjetër, Nikolic ka deklaruar se Serbia vazhdon me tempo të njëjtë në përmbushjen e obligimeve që i ka marrë nga BE-ja, por edhe ndaj qytetarëve të vet kur bëhet fjalë për jetë më të mirë.

Ai ka shtuar se Ashtonit i ka thënë edhe një herë që Serbia kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe se ajo ia ka kthyer atij se këtë në BE e dinë dhe se askush nga Serbia nuk po kërkon pranimin e Kosovës.

Etiketa: , ,
Të fundit