E shtunë, 4 Korrik 2015
Prishtinë – Policia e Kosovës ka mohuar se ka ndonjë plan për “sulme terroriste” në Prishtinë.
Ky institucion ka thënë se nuk ka informacione se koncerti i përvitshëm në nderim të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është anuluar për shkak të “paralajmërimeve për sulme terroriste”, shkruan sot Koha Ditore.
“Në Policinë e Kosovës nuk ka ardhur asnjë kërkesë për të siguruar ndonjë organizim. Nëse do të kishte ndonjë kërkesë ne do të kishim marrë masat për mbarëvajtjen e koncertit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Disa media online kanë raportuar se koncerti për 4 Korrikun është anuluar pikërisht për shkak të “rrezikut nga sulme terroriste”.
“Koha Ditore” ka raportuar të enjten se një bisedë telefonike në mes të një personi nga Gjilani dhe një shqiptari nga Maqedonia që ndodhet në Siri, ka mobilizuar Policinë e Kosovës për të parandaluar “ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë”.