E premte, 13 Qershor 2025
Edhe pse fjala “atdhe” dhe “mëmëdhe” në shqip na lidhin me tokën, patriotizmi i vërtetë lidhet me dashurinë, respektin dhe solidaritetin për njerëzit që na rrethojnë. Atdheun, mbi të gjitha e bëjnë familjarët, të afërmit, bashkëkombësit, gjuha, zakonet, traditat dhe kultura, pa toka e Zotit ngado do të shihej njësoj. Ajo që bën dallimin është pikërisht mënyra sesi ne si njerëz sillemi mbi këtë tokë me njëri-tjetrin dhe jo vendi ku jetojmë, të cilin do ta donim njëlloj kudo që të ishim, në mes të shkretëtirës, apo në pyjet e harlisur, në malet me dëborë, apo në rërën përvëluese.
Tokën që na e ka falur Zoti e kemi të mrekullueshme, si rrallëkush në botë, e megjithatë e braktisim atë, për diku tjetër, sepse ajo që ne kërkojmë më shumë nuk është një klimë më e butë, as një reliev më miqësor, por njerëz që kanë ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe funksionale sesa ajo e jona. Kështu që Shqipëria nis nga shqiptarët, sepse ata mund të bëhen më të mirë ose më të këqij dhe bashkë me ta edhe Shqipëria.
Nëse nuk duam njëri-tjetrin, nëse nuk kemi besë dhe besim tek askush, mirësitë që na rrethojnë nuk vlejnë asnjë lek. A nuk e shihni sesi popuj të ndryshëm e begatojnë tokën e tyre të shkretë me atë që bëjnë dhe si sillen me njëri-tjetrin, ndërkohë që të tjerë, edhe pse jetojnë mbi pasuri të panumërta jetojnë si mos më keq?
Nëse ne nuk investojmë tek njeriu, tek kapitali më i shtrenjtë, gurët dhe drurët, malet dhe lumenjtë, mineralet dhe bimët, dhe gjithçka që ne kemi do t’i shijojë dhe përfitojë tjetërkush, më shumë sesa ne.
Hoxhë Justinian Topulli