E enjte, 24 Prill 2014
Tronditet Shkodra. Tjetër atentat dhe tjetër ngjarje e sofistikuar, ndonëse etiketimi i motivit lidhet me gjakmarrjen. Dy persona kanë qëlluar me pushkë automatike 61-vjeçarin teksa punonte në arë bashkë me anëtarë të tjerë të familjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës dhe në një fshat të Shkodrës, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të paditur. Policia, pas njohjes me emrin e viktimës dhe me historinë mbi 20-vjeçare të familjes së Kolë Drinit, ka dyshuar se atentatorët vijnë nga një familje nga fshati Shelqet i Vaut të Dejës, pasi një i afërm i viktimës, vite më parë, ka vrarë një njeri të familjes nga Shelqeti. Ndonëse nuk dihen rrethanat e asaj vrasjeje të hershme në Shelqet, të dhënat që vijnë nga Shkodra bëjnë me dije se gjithçka nisi për motive pronësie, ndërsa autor i atij krimi ka qenë vëllai i viktimës. Policia ka nisur me shoqërimet e para për të bërë të mundur njohjen me rrethanat e krimit, ndërsa mësohet se po punohet intensivisht për të zbardhur ngjarjen dhe për të arrestuar autorët e krimit të rëndë. Blutë e Shkodrës kanë edhe emrin e të dyshuarit si atentator të Drinit, por ende nuk është bërë e mundur të shoqërohet apo të merret në pyetje.
Atentati
Ka qenë duke punuar në serën e tij së bashku me bashkëshorten dhe kunatën, kur është qëlluar për vdekje me dy plumba, Kolë Drini 61 vjeç, me banim në fshatin Vukatanë të komunës Gur i Zi. Ngjarja ndodhi pak km larg Shkodrës, por autorët mundën që të largohen pa u parë nga askush. Gruaja dhe nusja e vëllait që punonin bashkë me të te sera, nuk kanë dalluar njeri, ndërsa policia nuk ka gjetur asnjë gëzhojë në vendin e ngjarjes duke menduar se mund të kishte të bënte me ndonjë armë snajper me silenciator. Por, pas kërkimeve në zonën përreth ka rezultuar se Kolë Drini është qëlluar me dy plumba automatiku model 56, nga një kanal rreth 50 m larg serës ku punonte. Policia bën me dije se shkak i atij atentati është gjakmarrja, pasi vëllai i viktimës para disa vitesh, më 1993, ka bërë një vrasje në fshatin Shelqet në Vaun e Dejës, ku, pas një grindjeje për motive pronësie, ka vrarë një shtetas. Më pas familja Drini, për shkak të gjakmarrjes, është shpërngulur në Vukatanë. Autori i vrasjes së bërë në vitin 1993, vëllai i viktimës së djeshme është larguar nga Shqipëria dhe aktualisht ndodhet në SHBA, dhe, sipas të njohurve nuk është dënuar për vrasjen e bërë, ndërsa dy fiset nuk janë pajtuar dhe konflikti mes tyre ka qenë i hapur. Autori i vrasjes, i cili dyshohet se është një prej pjestarëve të familjes së të vrarit në vitin 1993, i cili ka dalë nga burgu para pak kohësh pasi ka vuajtur dënimin për një vrasje tjetër të bërë më 1998-ën, ka ndjekur lëvizjet e viktimës, i cili mësohet se kishte një javë që dilte nga shtëpia dhe shkonte për të punuar tek sera me prodhimet e së cilës jetonte. Ai është fshehur në një kanal rreth 50 m larg serës dhe prej aty ka qëlluar mbi 61-vjeçarin që ka marrë dy plagë në trup dhe ndonëse është dërguar me shpejtësi në spital ka humbur jetën rrugës. Policia po punon për kapjen e autorit dhe dokumentimin ligjor të kësaj vrasjeje./shekulli/
Etiketa: shkoder, Shqipëri, Vrasje