Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Athina, notë proteste Shqipërisë për banderolën e Çamërisë

Prizren Post | 16:47 - 14.06.2016

Athinë – Ministria e Jashtme greke shpjegon në një deklaratë të fundit në faqen e saj zyrtare në lidhje me banerin që u shfaq para fillimit të ndeshjes Shqipëri- Zvicër në Lens të Francës se ka dërguar edhe një notë proteste me anë të ambasadorit grek në Tiranë, Leonidhas Rokanas, ndaj Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë duke i kërkuar që të dënojë këtë akt, që sipas saj, është i trishtueshëm, i papranueshëm dhe i turpshëm.

Më parë pati edhe një notë proteste nga zv/ministri grek i Atletikës dhe ambasadores greke në Bërne drejt UEFA-S, notë proteste në Ministrinë e Jashtme franceze dhe ambasadorëve të Francës dhe Shqipërisë.

Nga pala shqiptare u kërkua të dënohej zyrtarisht ky akt, por duket se deri tani Shqipëria nuk e ka perceptuar nevojën e një veprimi të tillë, ndaj do të bëhen lëvizjet e duhura që kjo të bëhet e kuptueshme, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme Greke.

I pyetur nga “Top Channel” për thirrjen e tij ditën e hënë pranë kësaj ministrie, ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi, ka pohuar se në një takim që ka qenë në tone të ulëta, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Petros Mavroidhis, i ka bërë me dije shqetësimin e Athinës, veprimet e saj diplomatike dhe i ka kërkuar distancim të Tiranës nga ky akt.

Dervishi, nga ana e tij, ka shpjeguar se edhe në disa stadiume greke në të kaluarën ka pasur flamuj apo banderola të Vorioepirit, pa u dhënë përmasa diplomatike nga pala shqiptare dhe se edhe deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi, kishte synim që të ulim tonet dhe të mos lejojnë që e kaluara të mos na lejojë të punojmë së bashku për të ardhmen dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë të ashtuquajturës “dramë” greko-shqiptare.

“Axhenda e përbashkët ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme dhe incidente të tilla mund ta vonojnë, por nuk pengojnë”, kanë rënë dakord dy bashkëbiseduesit.

Ndërkohë, çështja vazhdon të pasqyrohet në shumë media greke. Midis këtyre mediave përmendim artikullin e gazetës “To Vima”, që ju referohet deklaratave të zv.kryetarit të Parlamentit, Shpëtim Idrizi, i cili përgënjeshtron ministrin e Jashtëm grek në deklaratat e tij, ku shprehet se çështja çame nuk u shtrua në bisedat që ai pati me udhëheqjen shqiptare./TCH/


Arivisti Company