“Autostrada energjitike” Shqipëri- Kosovë, gati për të nisur punimet


E mërkurë, 22 Janar 2014

Së shpejti pritet të nisin punimet për ndërtimin e “autostradës energjitike” Shqipëri-Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në një konferencë për shtyp. Ai theksoi se, ka nisur tashmë zbatimi i projektit më të rëndësishëm mes dy shteteve shqiptare. “Kontrata është nënshkruar dhe tenderimi ka përfunduar. Tani pritet vetëm disbursimi i parave dhe nisja e punimeve”, është shprehur Gjiknuri.

Ndërkohë në muajin dhjetor të 2013-ës Kosova dhe Shqipëria nënshkruan kontratën për ndërtimin e “autostradës energjetike”. Ndërtimi i linjës interkonjektive 400 kV ndërmjet dy vendeve do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme dhe do të mundësojë që të dy operatorët të punojnë bashkërisht, si një sistem shpërndarës dhe do të ofrojnë përfitime të ndërsjella për konsumatorët e të dyja vendeve.

I pyetur në lidhje me devijimin e lumit Radika, Gjiknuri u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase për këtë çështje dhe çdo informacion i tillë është spekulim politik.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase, por ka vetëm një marrëveshje kufitare për trajtimin e ujërave. Çdo gjë tjetër është spekulim. Nuk e di se kush e nxit këtë, kur edhe ministrat maqedonas thonë se nuk ka asnjë projekt të tillë, por vetëm një projekt-ide. Nëse do të kishte një projekt në lidhje me ujërat, do të mbanim një qëndrim në interesin e vendit dhe sipas ligjeve ndërkombëtare”, u shpreh Gjiknuri./shekulli