E enjte, 30 Prill 2020
PRISHTINË – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.
Përmes një konferencë për media, Thaçi ka thënë se vendimi për t’i dhënë mandatin për të udhëhequr me qeverinë LDK-së është në përputhje me Kushtetutën.
Presidenti thekson se kreu i LDK-së Isa Mustafa, ia ka konfirmuar se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare.
“Siç edhe jeni të informuar edhe nga konsultimi që zhvillova të mërkurën me liderët e të gjitha partive parlamentare, që përfaqësojnë vullnetin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Të gjitha këto parti, vlerësojnë që Kosova duhet të ketë qeveri të re, me përjashtim të një partie politike. Prandaj, pas letrave që i kam drejtuar kryetarit të LDK-së, praktikë e mëhershme drejtuar edhe partisë që ishte e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sot kam marrë një letër nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes së cilës, ai konfirmon se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, mocioni i mosbesimit ka qenë legjitim dhe pas shkarkimit të qeverisë, do të veprojë sipas kushtetutës për qeverinë e re.
Etiketa: Aktuale, Avdullah Hoti, Hashim Thaçi, Kosovë, Presidenti, Qeveria e Re