E enjte, 15 Dhjetor 2016
Prishtinë – Pasi u lexua pjesa e aktakuzës me emrat e të pandehurve dhe akuzat ndaj tyre, Azem Syla u deklarua i pafajshëm.
Azem Syla u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për krim të organizuar në rastin “Toka”.
Syla e deklaroi pafajësinë, pasi prokurori Danilo Ceccarelli lexoi pjesët e aktakuzës që lidhen me të akuzuarit dhe veprat për të cilat ata ngarkohen.
Të pafajshëm deri tash u deklaruan edhe Shaban Syla e Shpresim Uka.
Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve në Rastin “Toka” me pajtim të prokurorit dhe avokatëve nuk do të lexohet në tërësi aktakuza prej 264 faqesh.
Avokatët dhe prokurori në seancën e sotme u morën vesh që aktakuza të konsiderohet e lexuar.
Sipas këtij pajtimi prokurori do të lexojë vetëm emrat e të akuzuarve dhe veprat penale për ta cilat ata ngarkohen.
Në Rastin “Toka” prokurori Danilo Ceccarelli kërkoi përjashtimin nga ky gjykim të disa avokatëve mes tyre edhe Besnik Berishës që mbron ish-deputetin e PDK-së Azem Syla.
Cecarelli kërkesën për përjashtim të avokatit Berisha e arsyetoi me fjalët se ai është këshilltar i Kryeministrit Mustafa. Gjyqtari Sedek refuzoi përjashtimin e Berishës.
Prokurori Ceccarelli, përveç avokatit Berisha, kishte kërkuar edhe përjashtimin e avokatëve Haxhi Millaku, Arianit Koci e Bajram Tmava.
Për Millakun përjashtimin e arsyetoi me faktin që ky avokat përmendet disa herë në aktakuzë, ndërsa Arianit Koci e Bajram Tmava kërkoi të përjashtohen për arsyen se gjatë hetimeve para këtij gjykimi e kanë mbrojtur dikë tjetër, ndërsa tash gjatë procesit gjyqësor mbrojnë tjetërkënd.
Gjyqtari Sedek refuzoi edhe përjashtimin e Millakut, Kocit e Tmavës.
Hajrullah Berisha dhe Mustafë Halili, dy nga 39 të akuzuarit e Rastit “Toka” nuk janë të pranishëm sot në gjykatë.
Në fillim të seancës gjyqtari Arcadiuss Sedek tha se është duke e pritur një raport nga Policia e Kosovës në lidhje me vendndodhjen e Hajrullah Berishës.
Më pas gjyqtari bëri të ditur se është njoftuar nga policia se Berisha ndodhej në Maqedoni për trajtim mjekësor.
Arben Geci, avokati i Mustafë Halilit tregoi se i mbrojturi i tij ndodhet në SHBA, ndërsa kërkoi që procedura ndaj Halilit të veçohet.
Hajrullah Berisha mungoi edhe në seancën e së martës, ndërsa prokurori Danilo Cecarelli kërkoi që të lëshohet fletarrestim ndaj këtij të akuzuari, një gjë që u pranua nga gjykatësi Sedek. /Kallxo.com/