E enjte, 10 Mars 2022
PRISHTINË – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka bërë punën e saj sa i përket liberalizimit të vizave, dhe tani duhet Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet.
Ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, si dhe ka thënë se Ballkani Perëndimor do të vendoset në listën e prioriteteve.
“Ne jemi marrë vesh që Ballkanin Perëndimor ta vendosim në listën tonë të prioriteteve. Ne në Qeverinë e re federale kemi vendosur që për herë të parë të krijojmë një funksion të ri për përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor. Gjermania është investitor dhe donatori më i madh në Kosovë, duam të zgjerojmë edhe më tej këto marrëdhënie”.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, Kosova në këtë drejtim e ka bërë punën e saj, tani duhet BE ta bëjë punën e vet. Ne kemi folur edhe për reforma që ka nisur qeveria, luftimi i korrupsionit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë”, ka thënë ajo.
Etiketa: Albin Kurti, Annalena Baerbock, Gjermania, Kosova, Liberalizimi