Bahtiri: Koha e keqqeverisjes në Mitrovicë ka përfunduar


E shtunë, 18 Janar 2014

Pas akuzave që PDK, dega në Mitrovicë, i ka bërë ndaj kryetarit të ri të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri se ky i fundit e ka privatizuar dhe familjarizuar komunën, ka ardhur edhe reagimi i të “akuzuarit”.

Bahtiri, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se koha e keqqeverisjes, keqmenagjimit dhe keqpërdorimeve të PDK-së në Mitrovicë ka mbaruar në zgjedhjet e fundit lokale, përkatësisht me humbjen e PDK-së.

Në vijim, lexojeni të plotë reagimin e të parit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri:

SQARIM:

1. PDK- në këtë konferencë ka thënë:

“Kryetari Agim Bahtiri po luan me ndjenjat e qytetarëve të varfër, ku ka premtuar 15 mijë vende pune dhe po e zhvendos vëmendjen me largimin e punëtorëve”?

Sqarim:

I bëhet me dije PDK-së në Mitrovicë se:

Kryetari Agim Bahtiri- nuk është duke luajtur me ndjenjat e askujt. Kryetari Bahtiri po punon ditë e natë që premtimet t’i realizojë. Ai për çdo ditë pranon dhjetëra palë-qytetarë të cilët shprehin kërkesat e tyre, ku tregojnë edhe për mospërfilljen e tyre nga ish- zyrtarëve që ishin në pushtet deri më 24 dhjetor 2013.

Po ashtu kryetari Bahtiri, është duke punuar pareshtur që t’i realizoj jo vetëm premtimet e dhëna gjatë fushatës- por t’i tejkalojë ato, sidomos në zhvillimin e ekonomikë dhe punësimin e qytetarëve.

I bëhet me dije edhe PDK-së, por edhe të gjithë atyre që në njërën apo mënyrën tjetër tentojnë të shantazhojnë, sabotojnë apo kërcënojnë këdo qoftë, qytetarët, kryetarin apo palët e interesit, se nuk do t’ia arrijnë qëllimit.

Koha e keqqeverisjes, keqmenagjimit dhe keqpërdorimeve të PDK-së në Mitrovicë ka mbaruar në zgjedhjet e fundit lokale, përkatësisht me humbjen e PDK-së.

Ne i bëjmë me dije qytetarëve e në veçanti PDK-së në Mitrovicë se është në përgatitje e sipër Auditimi i Përgjithshëm për katër vitet e qeverisjes së PDK-së me Mitrovicën, ku shenjat e para tregojnë se ka pasur shumë keqpërdorime, keqmenaxhime e politika jo parimore ndaj qytetarëve.

Shembull- një metër dru për shkolla, autoritetet komunale gjatë udhëheqjes së PDK-së kanë paguar 49.8 euro- që është jashtë çdo logjike dhe standardi kosovarë.

PDK: Te rishqyrtohet vendimi për largimin e 11 punëtorëve nga komuna ditë më parë?

Sqarim:

Neve si autoritete komunale na vije keq për largimin e punëtorëve, por theksojmë se ata kanë ra pre e manipulimit dhe keqqeverisjes së PDK-së në Mitrovicë, sepse janë punësuar pa kurrfarë procedure të rekrutimit, përkatësisht janë punësuar në mënyrë anti ligjore dhe pa e përfillë institucionin e konkursit që bije ndesh me Ligjin për Shërbimin Civilë. Madje disa prej tyre, janë punësuar-apo ndërruar vendi i punës edhe pas zgjedhjeve lokale që është shkelje flagrante e ligjeve dhe procedurave ligjore.

PDK:. Nepotizmi: disa drejtorë të drejtorive janë familjarë të Agim Bahtirit?

Sqarim:

Drejtorët e Drejtorive janë të emëruar politikisht, dhe gjitha drejtorët e drejtorive kanë një begraund profesional dhe intelektual. Të gjithë janë emëruar në baza të profesionalizimit. Ndërsa konstatimi se Drejtorët e Drejtorive janë familjarë të kryetarit nuk qëndron, dhe janë deklarata boshe dhe të paargumentuara.

Me një fjalë, konferenca e organizuar nga PDK- nuk është asgjë tjetër përveç friksim nga puna që po bëhet aktualisht nga autoritetet komunale dhe kryetarit Bahtiri, përkatësisht friksimi nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimet që janë bërë gjatë qeverisjes së PDK-së.

PDK e Mitrovicës: Bahtiri e ka privatizuar dhe familjarizuar Komunën
Mitrovicë, 18 janar – Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë ka hedhur një mori akuzash në adresë në kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, transmeton KTV.

Sipas kësaj dege, Bahtiri është një mashtrues, që luan me ndjenjat e qytetarëve të varfër. “Për më pak se një muaj e ka shndërruar komunën në një pronë private, që kontrollohet prej vëllezërve dhe djemve të tij, të cilët sillen egërsisht me punëtorët e komunës. Pothuajse i gjithë kabineti i tij është në lidhje farefisnore”, thuhet në një komunikatë për media të PDK-së, dega në Mitrovicë.

Aty përmenden edhe disa vendime të kryetarit Bahtiri, ndër to edhe vendimi për largimin e 11 shërbyesve civilë nga puna.

“Për të tërhequr vëmendjen, kryetari i komunës provon t’ia zgjasë jetën vetes duke u kapur për tema të mëdha që nuk janë në kompetencë të tij. E lë mënjanë ‘projektin e famshëm të kërpudhave’, ku do të punësonte brenda vitit 5 mijë veta dhe merret me ‘Trepçën’, që si duket ka synim ta privatizojë ashtu siç po vepron me komunën”, thuhet në komunikatë.

Etiketa: , , ,
Të fundit