E shtunë, 17 Tetor 2015
Mitrovicë – Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës, ka thënë se Parku i Paqes mbi lumin Ibër të Mitrovicës që ndanë qytetin në dy pjesë, po bëhet në bazë të marrëveshjes për të cilën ka vendosur Bashkimi Europian.
Ai këtë koment e ka bërë me të filluar punimet për revitalizimin e Urës së Ibrit, projekt ky i financuar nga Bashkimi Europian në marrëveshje me Kosovën dhe Serbinë.
Kryetari Bahtiri, policia e Kosovës dhe pjesëtarë të njësisë speciale të këtij organi si dhe shumë ndërkombëtarë, kanë dalë në terren për të vëzhguar nisjen e punës për largimin e “Parkut të Paqes”, njofton Klan Kosova.
Në mesin e tyre nuk është parë Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, për të cilin Bahtiri ka thënë se është në Beograd.
I pari i Mitrovicës e ka ripërsëritur se lëvizja e lirë e qytetarëve në të dyja anët e qytetit do të mundësohet në qershor të vitit 2016.