E diel, 28 Shtator 2014

Reis MULITA
Ende ndihet përkëdhelja dhe ngrohtësia e kreut të Vatikanit, Papa Françeskut, në Atdheun e “Kalorësit të Krishtit”, në Shqipërinë tonë, ndërsa disa javë më parë në Berlin, vendi ynë nëpërmjet lidershipit politik dhe qeverisës u bë fokus i vëmendjes dashamirëse të aktorëve kryesorë europianë. Tok me përballjet për mbijetesë dhe vazhdimësi, në mënyrën më të natyrshme, shqiptarët shfaqën individualitet dhe vlera të pakrahasueshme shoqërore, vlera për të cilat shoqëria bashkëkohore është në garë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë demonstruar vlerat e paqes, të harmonisë, integritetit dhe të bashkëpunimit, duke kapërcyer gardhet e nacionalizmit, të shovinizmit dhe të mbetjeve të gjeopolitikës mesjetare në rajon. Kësisoj Shqipëria dhe shqiptarët, me sjelljen dhe qëndrimin e tyre pas viteve 1990, kanë rrëmbyer lidershipin e bashkëpunimit rajonal, duke mbështetur dhe kontribuar për ndërtimin e projektit perëndimor të hartës së re politike të Ballkanit. Me përqindjet etnike të konsiderueshme në shtetet e rajonit dhe me të drejtën e Zotit, shqiptarët si grupim shoqëror etnik autoktonë mund të bënin bllokimin e procesit të krijimit të hartës së re politike të rajonit. Por, shqiptarët u bënë aktorë dhe hipotekues të hartës së re, duke u shndërruar në protagonistë të bashkëpunimit, të paqes dhe të integritetit në Ballkan, i cili është konsideruar si “delja e zezë” e nacionalizmit dhe e konflikteve të Europës. Harta e Ballkanit Perëndimor, e konceptuar si një hapësirë gjeografike, ekonomike dhe sociale dhe e parë si një rajon i tërë, mund të konsiderohet si rajoni me diferenca më të theksuara sociale dhe ekonomike, jo vetëm në hartën Europës së Bashkuar . Dallimet dhe diferencat socio- ekonomike janë të dukshme brenda territoreve kombëtare të secilit shtet, por edhe midis shteteve të veçanta të rajonit. Tërheqin vëmendjen rastet e Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, ku diferencat sociale dhe ekonomike lexohen qartë në hartën e diversiteteve dhe të identiteteve etnike. Fakti se politika dhe programe të tilla përkujdesjeje të veçanta për Ballkanin Perëndimor, po zhvillohen nga shtete liderë të BE-së, sikundër është Gjermania, më së miri tregon se gjendemi nën frymën e përkujdesjes dhe solidaritetin të shteteve anëtare të BE-së dhe të vetë Brukselit. Thënë ndryshe edhe pse jemi periferikë me Europën dhe Brukselin, do te bëhemi pjese e mjedisit të tyre social dhe natyror, nëpërmjet programeve të zhvillimit rajonal, ashtu sikundër Gjermania, Austria dhe Brukseli kanë vepruar dhe veprojnë me shtetet anëtare të BE-së.
Mesazhi është i qartë, jo më larg se në vitin 2020, Europa do ta ketë Ballkanin Perëndimor në gjirin e vet. Madje, sinjali i kësaj përkujdesjeje është dhënë me rastin e Serbisë. BE-ka u përkujdes së tepërmi për të zbutur ngarkesën e madhe që krijoi historia e largët dhe e afërt me rastin e Serbisë , duke e dalluar atë qartazi nga shtetet e tjera në rajon, ndonëse e dallueshme qartë si shtet shkaktare e konflikteve me bazë nacionaliste. Duke u ndalur në këtë argument nuk mund të mos konsiderojmë edhe faktorët dhe zhvillimet gjeostrategjike në raport me shtete të veçanta dhe rajonin në tërësi. Procesi nxitet e mbështetet nga jashtë, por duhet zhvilluar nga brenda rajonit. Sikundër edhe politikat rajonale në raport me ato lokale, edhe Ballkani do të ndërtohet nga vetë ballkanasit. Nëse i referohemi rastit të Maqedonisë, vërejmë se Maqedonia e ka fituar statusin e kandidatit më tepër se një dekadë më parë, por ende është në vend numëro, jo vetëm për çështjen e emrit, por edhe sepse nuk ka mundur të ndërtojë dhe zbatojë politika e programe për një shtet dhe shoqëri multietnike postkonfliktuale. Shkupi nuk ka dashur ta decentralizojë pushtetin dhe qeverisjen tek qytetarët dhe shtetasit maqedonas, përtej hartës së identitetit dhe të etnisë së tyre, tregues i cili flet shumë për Maqedoninë në ndjesitë e Europës dhe Brukselit.
Ndryshe nga shtetet e rajonit, Shqipëria është shtet i avantazhuar në raport me Brukselin dhe me shoqërinë europiane në një vështrim të gjerë, pa u ndalur në sjelljet e brendshme të qeverisjes dhe të politikës, të cilat kanë lënë për të dëshiruar. Shqipëria për tërësinë e argumenteve mbetet aktori kryesor në Ballkanin Perëndimor, për Brukselin dhe shtetet aktorë të BE-së, midis të tjerash sepse nuk mbart çështje historike të mbetur pezull në rajon, e ndërsa zgjidhja e shumë problemeve në rajon kanë në qendër elementin shqiptar.
Ballkani do të flasë shqip, jo për hartën gjeosociale, por për hartën e vlerave bashkëkohore, dhe Shqipëria i ka të gjitha shanset për ta realizuar këtë mision. Shoqëritë dhe liderët e Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës u duhet të harxhojnë energji për të zgjidhur çështjet etnike dhe konfliktet e trashëguara historike, të cilat janë tejet të vështira dhe duan kohë për t’u maturuar. Ndërsa Shqipërisë dhe lidershipit të saj u duhet të zgjidhin problemin e qeverisjes së mirë dhe të demokracisë, nëpërmjet të cilave mund të vendosë kontrollin mbi territorin kombëtar për çështjet e sigurisë, trafikut të lëndëve narkotike, përdorimit të burimeve natyrore e mjedisit, decentralizimit efikas, korrupsionit, sundimit të ligjit dhe shtetin të së drejtës, etj. Parë kështu, Shqipëria është shumë më e favorizuar, sepse demokracia dhe mirëqeverisja janë aq sa të vështira aq edhe të thjeshta për t’u realizuar. Aktorëve politikë dhe qeverisës në Shqipëri u duhet vetëm të jenë të vendosur për çështjet e mirëqeverisjes, shenja të cilat lexohen mirë në syrin Brukselit dhe shteteve lidere të BE-së. Mesazhet e Perëndimit për Shqipërinë janë tepër të qarta dhe të lexueshme, për shoqërinë dhe lidershipin politik e qeverisës. Filozofia e bashkëpunimit dhe e i integritetit mbetet parësore për aktorët politikë në vend, pasi çdo sjellje konfliktuale, me apo pa dashje, e kthen Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, në kushtet e vendeve, të cilat natyrshëm i kanë këto probleme dhe e zhvendos vëmendjen dhe mundësinë për të hartuar dhe zbatuar projekte zhvillimi ekonomik e social dhe për të ndërtuar shoqërinë e mirëqenies. Teksa ndjek me kujdes zhvillimet e deritanishme në nivel rajonal, vëren se lidershipi politik i shqiptarëve lexon “fjalëkalimin” e bashkëpunimit dhe të integrimit rajonal, ndërsa nuk jeton dot me mendësinë, klimën e bashkëpunimit dhe të integritetit mes vetes. Për fatin e mirë, jo vetëm të rajonit, rrjedha na ka përfshirë në një destinacion natyror, njëherazi fryt i mundit njerëzor. Tashmë Ballkani ka filluar të flasë shqip, gjuhën e paqes dhe të bashkëpunimit të bekuar dhe nën përkujdesje.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.