Ballkanit Perëndimor i duhet përkrahje më e madhe nga BE-ja


E enjte, 23 Prill 2015

20150423144951968620

Bërdo – Thaçi nënvizoi se sfidat si radikalizmi dhe terrorizmi apo politikat e paqarta dhe anti-europiane të Rusisë mund të tejkalohen vetëm përmes veprimit të përbashkët të vendeve të rajonit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Bërdo të Sllovenisë në samitin e ministrave të jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim të madh në vitet e pas shpalljes së pavarësisë, por ka thënë se vonesat e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit në normalizimin e marrëdhënieve mes vete mund të rrezikojnë këtë progres. Ai tha se Kosova po dëshmohet si kampione e dialogut, normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë dhe pret që kontributi i Kosovës të shpërblehet konform punës së bërë për krijimin e paqes.

“Asnjëherë nuk ka pasur më shumë komunikim, por edhe mundësi për bashkëpunim në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Forumet si ky në Bërdo, apo ai i para dy ditëve në Bruksel dhe para një muaji në Prishtinë, ofrojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për gjetjen e zgjidhjeve për sfidat e përbashkëta”, është shprehur Thaçi para pjesëmarrësve të samitit në Bërdo.

Zëvendëskryeministri Thaçi nënvizoi se sfidat si radikalizmi dhe terrorizmi apo politikat e paqarta dhe anti-europiane të Rusisë mund të tejkalohen vetëm përmes veprimit të përbashkët të vendeve të rajonit. “Me komunikim dhe bashkëpunim më të mirë duhet të thyhen paragjykimet, duke mos humbur kohë me simbole e fusnota dhe probleme të ngjashme me të cilat Kosova përballet çdo ditë”, ka thënë Thaçi.

Sfidë e posaçme, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, është vazhdimësia e angazhimit të BE’së në Ballkanin Perëndimor, sidomos sot kur rajoni po rrugëton drejt së ardhmes euroatlantike dhe se nevoja është shumë e madhe për mbështetjen e saj.

Të fundit