E mërkurë, 25 Qershor 2014
Një firmë e sigurisë ka raportuar prova për zbulimin e hajdutëve kibernetikë që kanë plaçkitur më shumë se 190 klientë të një banke evropiane. Kaspersky Lab tha se kishte zbuluar një server kompjuterësh në janar, që është përdorur për të koordinuar një sulm e cila, si duket, ka rrëmbyer më shumë se 500 mijë euro për një javë të vetme.
Kompania e sigurisë tha që shumica e klientëve që janë grabitur vijnë nga Italia dhe Turqia. Gjithashtu ajo shtoi se kriminelët arritën të fshijnë dëshmitë që kanë përdorur për të gjetur ato para në mënyrë që të mos identifikohen. Firma nuk pranoi të bënte të ditur emrin e bankës.
Kaspersky ka koduar fushatën Luuk, dhe ka thënë që besohet se një program Trojan është përdorur për të marrë të dhënat financiare dhe të lejojë kryerjen e transaksioneve menjëherë sapo klienti të hyjë në llogarinë e tij bankare. Por ajo pranoi se ekzistonin ende boshllëqe në njohuritë e saj.
Vicente Diaz, hulumtuesi kryesor i sigurisë pranë Kaspersky Lab, tha në një deklaratë se në serverin e komandimit dhe kontrollit nuk u gjet asnjë informacion se çfarë programi u përdor në këtë fushatë.
“Ne mendojmë se virusi i përdorur në këtë fushatë mund të jetë Zeus-i.” Zeus është emri i një lloji virusi Trojan që është zbuluar për herë të parë në vitin 2007, i cili bën që të vidhen të dhënat nga kompjuterët që përdorin sistemin operativ Windows. Ai është përdorur më përpara për të vjedhur miliona paundë nga banka të ndryshme.
Kaspersky tha se virusi Zeus është përdorur në këtë sulm duke futur informacione fals në faqet zyrtare të bankës dhe duke vjedhur të dhënat sekrete të bankës. Kompania e sigurisë tha se, në bazë të informacioneve në kompjuter, shumat e vjedhura në çdo llogari shkojnë nga 1700 euro deri në 39 mijë euro.