Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Bankat, 14 grabitjet e mëdha në vend

Prizren Post | 15:58 - 03.07.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Tiranë – Supergrabitja e ndodhur dy ditë më parë në Aeroportin e Rinasit ka sjellë reagime të shumta, për nga mënyra e kryerjes së saj po ashtu edhe në vendin ku u krye.

Së fundmi është diskutuar edhe një raport i publikuar dje në media, ku thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kane bërë 3 testime të fshehta për sigurinë në aeroport në datën 20 Prill 2016. Testimi i parë: futja e eksplozivit; testimi i dytë: futja e armëve të ftohta dhe testimi i tretë: çarja e rrethimit (perimetrit të jashtëm), saktësisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë grabitësit. Në të tre testimet, siguria e aeroportit ka dështuar të detektojë rrezikun. Arjan Hoxha, ekspert në fushën e grabitjeve, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, lidhur me ngjarjen e tre ditëve më parë thekson se grabitje të përmasave të tilla nuk mund të ndodhin nëse nuk rrjedh informacioni mbi transferimin e parave. Eksperti Hoxha shton më tej se nëse nuk ka një rrjedhje informacioni të brendshëm mbi transferimin e shumave të mëdha të parave, mundësia e grabitjeve është zero. Po ashtu, ai thotë se mbi grabitjet e të njëjtës natyrë të kryera edhe më parë, qëndron një dorë e vetme dhe se grabitësit sa vijnë e bëhen më profesionistë.

Zoti Hoxha, ç’mund të na thoni për rastet e grabitjeve të ndodhura në vendin tonë, së fundmi ajo në Aeroportin e Rinasit?

Taktika e ndjekur nga grabitësit në Aeroportin e Rinasit, sipas gjykimit tim është tepër e thjeshtë. Ata kanë pasur një informacion të hollësishëm mbi kohën, vendin, sasinë e parave që po transportoheshin, mënyrën e sigurisë së tyre, çfarë masash sigurie kanë ata, drejtimin e lëvizjes, vendin nga do të kryhej grabitja. Për ironi të fatit është një nga vendet më të sigurta që ndodhet në territorin e vendit tonë, pasi Aeroporti i Rinasit është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe gjatë gjithë kohës në këtë periudhë ka pasur masa të rrepta sigurie. Guximi për të kryer një grabitje për mendimin tim nuk ka të bëjë vetëm me guximin e atyre personave që e kanë kryer, por ata mua më kanë lënë të dyshoj që kanë pasur një bashkëpunim të mirëfilltë me persona të brendshëm. Ata kanë mundur të thyejnë gjithçka aty dhe të hyjnë brenda në aeroport.

Pra, ju thoni që nëse nuk ka informacion të brendshëm nuk ndodhin grabitje të tilla?

Absolutisht që nuk mund të ndodhë në asnjë rast nëse nuk rrjedh informacion. Është mundësia zero për t’u kryer kë- to grabitje. Mundësia është zero, pasi ata njerëz (grabitësit) nuk është se kanë ngritur një pikë vrojtimi në një vend të caktuar dhe qëndrojnë në ruajtje gjatë gjithë kohës kur të vijë një makinë që transporton vlera monetare apo çfarëdo tjetër dhe të ndërhynin për të bërë goditjen. Sipas mendimit tim, ata kanë qenë të mirëinformuar dhe në moment sapo ka mbërritur në destinacion automjeti me paratë, grabitësit kanë hyrë në ambientet e aeroportit dhe me qetësinë më të madhe kanë kryer grabitjen dhe kanë shikuar punën e tyre. Dhe të gjitha këto lloje grabitjesh që kanë ndodhur në këtë vend (Tiranë) pikën e mbërritjes apo shkëputjen e tyre e kanë në Urën e Tapizës, në Nikël. Pra asgjë nuk ka qenë e vështirë në këto raste.

Kur ndodhin këto ngjarje grabitësit janë më shumë se dy, pse ndjekin këtë taktikë?

Kjo është e domosdoshme në këto raste. Në radhë të parë llogaritim se në qoftë se do të ketë një shkëmbim zjarri, njëri prej tyre do t’i marrë paratë e grabitura, e dyta llogaritim se ato mund të jenë katër-pesë çanta dhe një person nuk mund t’i ngrejë ato i vetëm dhe për të çorientuar policinë njëri qëndron i gatshëm në automjet dhe të tjerët merren me marrjen e parave. Nëse këta persona i ndjekim me kujdes grabitje pas grabitje, do të shohim se lëvizjet e tyre bëhen më të sofistikuara, pra më të shpejta. Nëse shohim me kujdes edhe minutazhin, ata mundin t’i kryejnë këto veprime në kohë rekord, madje ky i fundit është kryer më shpejt nga herët e tjera ç’ka do të thotë se ata sa vijnë e bëhen më profesionistë dhe kam frikë se kjo tjetra që pritet të ndodhë do të ndodhë në një kohë ende më të shkurtër për nga mënyra sesi veprojnë, si të themi që janë si komando nga gjuha teknike. I kanë veprimet shumë korrekte, shumë të disiplinuara.

Pse pikërisht zgjedhin vende tepër të populluara dhe orare të mesditës?

Pasi vetëm në ato orare kryhen transferta parash me shuma tepër të mëdha siç ishte dhe ajo në Rinas apo edhe në rastet e tjera. Transferuat e parave nuk bëhen në orët e vona të pasdites. Grabitësit me veprimet që kanë kryer, në të gjitha rastet kanë sfiduar punonjësit e sigurisë edhe pse të armatosur.

Në këto grabitje të bujshme, mendoni se qëndron një dorë e vetme?

Sigurisht që në këto qëndron një dorë e vetme dhe nuk ka pse të diskutohet. Në këto grabitje ka pasur rrjedhje informacioni. Këta persona tashmë kanë fituar sigurinë që mund të kryejnë, po ashtu kanë fituar edhe mbështetje të fortë dhe po veprojnë herë pas herë, madje mund të them se shumë ata do të veprojnë përsëri.

A është e mundur që këta grabitës profesionistë të mos jenë shqiptar?

Jo, absolutisht që një diçka e tillë nuk është e mundur. Një person që merr përsipër të kryejë një grabitje e njeh edhe territorin ku do të veprojë shumë mirë. Një huaj nuk do të vepronte dot asnjëherë një mënyrë të tillë, ashtu sikurse edhe është vepruar në këto raste. Personat që kanë kryer grabitjet ku vlen të përmendin tre rastet e fundit, janë njohës shumë të mirë të zonës ku ata veprojnë dhe nuk vlen asnjë dyshin që ata të jenë një dorë e ndryshme. Është si të shkojmë ne jashtë Shqipërisë dhe të kryejmë grabitje të përmasave të tilla apo më të mëdha. Është e pamundur. Këta persona padyshim mund të jenë edhe banorë të zonave përreth Tiranës. Këta persona që kanë mundur të fitojnë këto shuma kaq të mëdha deri më tani dhe duke mos u dëmtuar vetë në asnjë rast e kanë informacionin superior, pra në çdo kohë.

Mendoni se do të vijojnë të shënohen ende ngjarje të tilla?

Sipas mendimit tim nuk ka për të shkuar më shumë se katër apo pesë muaj pa u shënuar grabitja tjetër, mos të them edhe më pak. Ata i kanë dhënë provat tashmë, kanë fituar siguri.

Dy grabitjet surprizë në aksin rrugor Tiranë-Rinas

3 dhjetor 2015, një automjet i një shoqërie private teksa transportonte një shumë parash të një banke në drejtim të Rinasit, ka rënë pre e grabitjes në afërsi të Laknasit. Shuma e grabitur atë kohë ka qenë rreth 3 milionë euro, të cilat do të transferoheshin jashtë Shqipërisë. Autorët u kanë bërë pritë automjeteve të shoqërisë private, ndërsa nën kërcënimin e armëve kanë mundur të marrin edhe shumën e parave. Autorët e kësaj grabitjeje ende nuk janë mundur të identifikohen dhe të bien në prangat e Policisë.

Më 13 shkurt 2015, maskat kanë mundur të marrin nga duart e punonjësve të sigurisë rreth 100 milionë lekë teksa i transportonin në ambientet e brendshme të një banke. Në pranga përfunduan gjashtë rojet private, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Autorët e kësaj grabitjeje ende sot e kësaj dite nuk kanë përfunduar në pranga.

3 korrik 2015, në Durrës është grabitur nga dy persona një bankë e nivelit të dytë. Nën kërcënimin e armës, grabitësit morën rreth 38 milionë lekë të vjetra. Vetëm pak ditë pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka mundur të vërë në pranga dy autorët e grabitjes.

Supergrabitja e 713 milionë lekëve në BSH

Në muajin Korrik 2014 është shënuar grabitja e superbu jshme në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, aty ku arritën të merreshin rreth 713 milionë lekë. Për këtë ngjarje përfunduan në pranga rreth 10 persona bashkë me ish-gurvenatorin e BSH, Adrian Fullani. Ndërsa grabitjen e parave e mori përsipër punonjësi i bankës, Ardian Bitraj, i cili gjatë kohës kur janë kryer hetimet ka treguar se paratë që i ka marrë në Thesarin e Shtetit i ka harxhuar të gjitha në bixhoz. Bitraj tashmë ka marrë edhe dënimin e tij nga Gjykata e Tiranës, një dënim prej 13 vite e katër muaj burg. Për këtë çështje vazhdon ende gjykimi për ish kryeinspektoren e BSH, Elivar Golemi, e cila nuk ka pranuar asnjë akuzë të ngritur nga Prokuroria e Tiranës. Për këtë çështje është dënuar me 10 vite burg edhe Mimoza Bruzia, ish punonjëse në BSH. Ndërsa ish guvernatori i BSH, Adrian Fullani mundi të fitojë pafajësinë.

Historitë e grabitjeve të bankave qysh nga viti 1993, shkon në 14 numri i rasteve

Historia e grabitjeve të bankave në Shqipëri, daton qysh në vi tin 1993 në Tiranë. Qeveria e kohës për këtë ka akuzuar të – ashtuquajturën “Hakmarrja për Drejtë- si”. Më pas shënohen vjedhjet e vitit 1997. Por një nga grabitjet e cila mbahet mend edhe ne ditët e sotme është ajo e shënuar në vitin 1998 në Tropojë, në bankën e kursimeve ku u morën rreth 800 milionë lekë.

Më 29 janar 1993 është shënuar vjedhja e parë e bujshme që qeveria e kohës ia faturoi grupit të ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, nga ka marrë dhe emrin dosja, i përket Bankës së Kursimeve Tiranë, në bulevardin “Zogu i Parë”. Më pas ndodh një tjetër grabitje në Tropojë, më 29 tetor 1998, ku një grup i madh personash të armatosur, grabitën Bankën e Kursimeve. Por këtë radhë grabitja ishte më spektakolare dhe shuma e përfituar më e majme, rreth 800 milionë lekë të vjetra. Kasaforta u tërhoq me një vinç të tonazhit të lartë.

25 mars 2000, janë vjedhur 250 milionë lekë me anë të një çeku të falsifikuar në Bankën e Kursimeve në bulevardin “Zogu i Parë”.

Historiku vazhdon me vjedhjen e realizuar më 23 gusht 2002. Tre persona rreth orës 09:30, vjedhin Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës, me armë në dorë. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallatij.

7 gusht 2003, dy të rinj nga qyteti i Burrelit, pasi arrijnë në Kamzë vendosin të grabisin filialin e “Wester Union”- it që ndodhej në atë zonë. Ata futen brenda ndërtesës të armatosur dhe me maska, dhe arrijnë të marrin nga aty me kërcënimin e armëve një shumë të majme parash dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

6 maj 2004, dy persona grabisin 25 mijë euro në një pikë të “Wester Union”, në Rrugën e Kavajës, në kryeqytet. Dy të rinjtë u arrestuan shumë shpejt nga policia, pasi u lajmëruan nga punonjësit, të cilët bënë edhe përshkrimin e autorëve që kishin arritur të kryenin grabitjen.

Më 28 shkurt 2004 është grabitur njësia Nr. 4 e Bankës së Kursimeve. Autorët e saj kanë qenë punonjëset që punonin në këtë filial dhe shuma ka qenë afërsisht 2 miliardë lekë të vjetra. Denoncimet e drejtuesve të bankës kanë bërë që policia të bjerë shumë shpejt në gjurmët e tyre dhe ata të arrestohen. 20 qershor 2008, një i ri me maskë dhe me pistoletë është futur në filialin e bankës së nivelit të dytë dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të vjedhë 300 mijë lekë të reja. Ngjarja ka ndodhur në filialin pranë sheshit “Rilindja” në Tiranë. Kamerat e sigurisë së bankës e kanë “tradhtuar” dhe më pas është bërë arrestimi i tij.

1 gusht 2008, tre persona të armatosur e me maska kanë grabitur filialin e një tjetër banke në Tiranë. Ngjarja ndodhi në autostradë, kur persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve, rreth 30 mijë euro. Brenda pak ditësh policia ka arritur të arrestojë të tre autorët.

Më 22 nëntor 2008 një filial i një tjetër banke në Tiranë është grabitur me armë dhe maska, afër zonës së Unazës tek rruga “Bardhyl”. Një person i maskuar dhe me një pistoletë në brez është futur duke kërcënuar rojet e bankës dhe është drejtuar tek sporteli, duke kërkuar paratë. Pasi ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin në sportel në ato momente, të paktën 500 mijë lekë të rinj, i riu është larguar dhe është futur me shpejtësi nëpër rrugica për të humbur gjurmët.

30 mijë euro shpërblim kush jep informacion

Policia e Durrësit ka vënë një shpërblim prej 30 mijë euro për personat të cilët do të japin informacion që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave që mundën të kryenin supergrabitjen në Aeroportin e Rinasit më 30 qershor 2016. Në deklaratë për shtyp. Policia ka theksuar se çdo informacion do të vlerësohet maksimalisht nga grupi hetimor dhe do të ruhet anonimati i çdo qytetari që do të bashkëpunojë me Policinë. Policia ka vënë në dispozicion numrin e telefonit 0694110217, si dhe një adresë email-i policiadurrës@gmail.com. Ndërkohë, Prokuroria e Krujës ka dhënë detaje mbi arrestimin e pesë personave duke theksuar se nuk kanë zbatuar detyrat e tyre për të parandaluar ngjarjen duke marrë parasysh edhe rriskun që paraqitej në atë pikë të perimetrit rrethues të aeroportit.


Bëni një koment