Baraliu: Ulëset e rezervuara për pakicat, antikushtetuese


E shtunë, 8 Qershor 2013

Gjatë të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, pakicat kishin gëzuar privilegjin e vendeve të rezervuara. Një praktikë e tillë, në termet politike ishte cilësuar edhe si një diskriminim pozitiv. E njëjta praktikë vazhdoi edhe për dy mandate pas shpalljes së pavarësisë, siç përcaktohet edhe me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës.Njohësi i çështjeve juridike, deputeti i LDK-së, Haki Demolli, thotë se kjo çështje duhet të mbetet siç është në Kushtetutë dhe në Pakon e Ahtisaarit.

“Kemi dëgjuar deklaratën e zëvendëskryeministrit (Slobodan Petroviq), i cili në mënyrë ultimative ka thënë se në qoftë se nuk pranohen këto propozime tona, atëherë do ta bllokojmë tërë procesin reformues, qoftë në nivel kushtetues, qoftë në nivel zgjedhor. Ne nuk kemi punë për ultimatume, prandaj jemi për atë që të mbetet ashtu siç është Pakoja e Ahtisaarit, respektivisht Kushtetuta e vendit”, tha Demolli për Radio Kosovën.

Ndërkaq, eksperti kushtetues, Mazllum Baraliu, thotë se vazhdimi i këtyre privilegjeve për pakicat, është antikushtetues.

“Këto shantazhe do duhej ndërprerë nga partitë minoritare për arsye se janë antikushtetuese dhe antidemokratike”, tha Baraliu.

Sipas Pakos së Ahtisaarit, në bazë të cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, komunitetet pakicë gëzonin të drejtën e 20 ulëseve të rezervuar për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit, kurse më pas, ato shndërrohen në ulëse të garantuara.

Dallimi qëndron në faktin se përmes ulëseve të rezervuara, komunitetet fitojnë 20 ulëse në fillim dhe llogarisin në vende shtesë që sigurojnë përmes votave gjatë zgjedhjeve. Kurse, përmes ulëseve të garantuara, pakicat marrin vetëm 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.