Basha: Asgjë e re, taksat ia morën shpirtin biznesit dhe konsumatorit


E mërkurë, 2 Korrik 2014

image

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i cili mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve në Krujë akuzoi qeverinë e ‘Rilindjes’ mbi situatën e rëndë ekonomike dhe sociale që po kalon vendi. Sipas kreut të PD-së, sot shqiptarët po e ndjejnë kudo në tavolinat dhe xhepat e tyre mjerimin, taksat po rriten dhe shtohen përditë, papunësia ka arritur majat.

Përballë kësaj situate, Basha i kërkoi drejtuesve të rinj të PD-së që të hartojnë platformat e zhvillimit për zonat e tyre, për t’i bashkuar më pas në platformën e qeverisjes së vendit.

“Asgjë të re nuk kanë sjellë. Përkeqësim në çdo fushë duke nisur me ekonominë. Taksë pas takse ia morën shpirtin biznesit, ia morën shpirtin konsumatorit. Kredia në nivelet më të ulëta, vendet e punës po treten si bora në diell. Siguria në parametrat e veta më të këqija. Ne jemi këtu për t’u dhënë shqiptarëve një platformë zhvillimi. Një alternativë të vërtetë dhe jo rrenë për të krijuar mundësi për punësim për prodhim, për mirëqenie, për siguri, për një të ardhme të sigurt, dhe për një ekonomi të fortë. Ky vizion është dhe detyra e tretë e rëndësishme e këtij kuvendi dhe drejtuesve që do të dalin prej tij”, tha Basha.

Kryetari i PD-së i konsideroi zgjedhjet në parti shumë të rëndësishme për ringritjen, hapjen dhe bashkimin e saj

Sipas tij, duke vënë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës në parti, çdo anëtari i është deleguar përgjegjësia dhe e drejta që të zgjedhë ata që do ta çojnë Partinë Demokratike drejt fitores./shekulli/

Të fundit