E martë, 2 Korrik 2013
Tiranë, 2 korrik – Mbyllet procesi i anëtarësimeve në PD. Kryetari i ri do votohet drejtpërdrejt nga 100 mijë anëtarë. Ende i paqartë pozicioni i Eduard Selamit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministri i Punëve Publike në detyrë, Sokol Olldashi, pritet të jenë kandidatët në garën për kryetar të Partisë Demokratike. Kur kanë ngelur edhe tri ditë nga mbyllja e procesit të pranimit të kandidaturave, bëhet më e qartë se mes kujt do të diskutohet posti që ka lënë bosh kryetari i sapodorëhequr, Sali Berisha. Gjatë ditës së djeshme, Sokol Olldashi ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së në detyrë, por pa bërë publik qëllimin e bisedës mes tyre.
Burime zyrtare nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se Ministri i Mbrojtjes në detyrë, një nga themeluesit e kësaj partie, Arben Imami, nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar. Ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë pozicioni i ish-kryetarit të PD-së, Eduard Selami. Publikisht ai ende nuk është shprehur se çfarë qëndrimi do të mbajë, ndërkohë që javën e fundit ka qenë një nga njerëzit e paktë që Kryeministri Sali Berisha ka thirrur në zyrën e tij.
Ditën kur Berisha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, Selami u thirr në zyrën e katit të tretë në një bisedë kokë më kokë me të, dhe 24 orë më vonë ai u takua me Kryeministrin në selinë e qeverisë, pak minuta përpara se të zhvillohej mbledhja e radhës e Ekzekutivit. Pak ditë më parë nga gara për kryetar partie u tërhoqën edhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli dhe sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. Në këto kushte, për momentin emrat më të mundshëm të garës për kryetarin e Partisë Demokratike janë Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi.
Etiketa: Lulzim Basha, Partia Demokratike, Shqipëri, Sokol Olldashi