Basha: Fasada e Ramës ka rënë, qeveria lakuriqe para botës


E martë, 12 Qershor 2018

Tiranë – Kreu i PD-së Lulzim Basha në një dalje për mediat iu referua deklaratave të një dite më parë të zyrtarëve gjermanë, për të cilët tha se Evropa dha një mesazh të qartë.

“Strategjia e deritanishme e Edi Ramës përmes krijimit të një fasade të rremë që gjërat shkojnë mirë, nuk ka ecur. Fasada ka rënë, qeveria lakuriq para botës. Sot nuk ecin gënjeshtrat, mashtrimet e fajësimet e të tjerëve. Mesazhet e djeshme se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, se Tahiri është peshk i madh, se Xhafaj duhet të largohet janë pasqyra e vërtetë e gjendjes në Shqipëri dhe prova se gënjeshtrat nuk ecin. Numri dy i Merkel, përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë në Këshillin e Europës, foli qartë ku deklaroi se duhet të zhbllokohet menjëherë dhe të nisë nga puna Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë dhe të krijohet struktura e përshtatshme antikorrupsion”, tha Basha.

Emërimet në administratë janë në shkelje me ligjin, reforma zgjedhore duhet bërë sa më parë për të mos manipuluar votën tha ndër të tjera Basha. Ai kërkoi sërish largimin e Xhafajt dhe tha se tashmë e kanë fjalën shqiptarët. Nëse duam Europën tha ai, Xhafaj të ikë sa më parë, njofton TCH.

Etiketa: , , ,