Basha i thotë Ramës: Do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit


E diel, 12 Maj 2019

TIRANË – Në një bashkëbisedim me gazetarët, siç bëri më herët gjatë kësaj të diele edhe kryeministri Edi Rama, kreu i PD-së, Lulzim Basha foli për atë që e quajti natë dramatike, duke iu referuar protestës së katërt madhore të opozitës, që u shoqërua me akte të pazakonta dhune.

Basha theksoi sërish se beteja e PD-së nuk është për pushtet, por për t’i rikthyer normalitetin vendit.

“Urdhëruesi i vërtetë i kësaj maskarade ka dalë para shqiptarëve, ndërsa urdhëruesi i vërtetë i gazit helmues u pa qartë sesa larg realitetit është, teksa pa gjithçka nga vila e tij shumë milionëshe. Ky urdhërues, herë bën gaztorin, e herë arrogantin, cinikun. Është e qartë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, as personale mes meje dhe Edi Ramës. Unë atë e kam mundur, por atë e ka mundur edhe lodhja, pushteti dhe zullimi, e ka mundur varfëria e popullit, por edhe hajnia e arroganca. Sot, Partia Demokratike është nisur për t’i rikthyer normalitetin këtij vendi, në mënyrë që çdo shqiptar të jetojë në vendin e vet”, tha Lulzim Basha.

Basha paralajmëroi Ramën përpara protestës tjetër të programuar për pasditen e së hënës, në të njëjtën orë 18:30.

“Në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, në 18:30, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë kreun e klikës në pushtet: Mos i kalo caqet, mos u fshih pas blindave të Gardës. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha njofton TCH.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit