E hënë, 18 Shkurt 2019
TIRANË – Lulzim Basha njoftoi se ka vendosur t’i propozojë forumeve më të lartë të partisë, aktin ekstrem të djegies së mandateve 24 orë pas protestës në bulevard.
“Ju siguroj se unë e kam kuptuar shumë qartë pjesëmarrjen tuaj, mesazhi juaj është i qartë. Ndaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimarrëse të PD djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme: Mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shqipërinë si gjithë Europa! Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme Parlament të popullit dhe jo të krimit”, tha Basha.
Kryetari demokrat bëri përgjegjes kryeministrin për dhunën ndaj protestuesve, duke i dhënë indirekt një pergjigje edhe ndërkombëtarëve: “Ai urdhëroi dhunimin e të drejtave tuaja, të drejtat e protestuesve dhe, më pas, terror mbi protestuesit. Në Europë, pra, ku qeveria kapet duke vjedhur, nuk rrihet populli, nuk helmohet populli, por ikën qeveria, ndëshkohen hajdutët”.
Pas deklaratës së kryetarit demokrat, reagoi edhe Monika Kryemadhi, e cila nuk foli për djegie mandatesh, ndërsa deputetë të LSI-së konfirmuan për Top Channel se nuk kanë marrë asnjë propozimin nga kryetarja e tyre.
“Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma”, shkroi Kryemadhi në Facebook.
I vetmi që deri më tani është shprehur pro djegies së mandateve nga radhët e LSI-së është Ylli Manjani. “Cilido që është opozitar duhet të bashkohet me propozimin e Lulzim Bashës për të djegur mandatet e këtij Parlamenti monist”, shkruan Manjani.
Vendimi i Bashës nuk ka surprizuar kryetaren e LSI-së, e cila ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryetarin demokrat mbrëmjen e së shtunës, por ka befasuar aleatët historikë të demokratëve. 4 krerët e partive aleate, Ndoka i PDK-së, Dule i PBDNJ-së, Shehi i LZHK-së dhe Mediu i PR-së, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit nga lista e Partisë Demokratike, nuk janë njoftuar për vendimin, ndërsa më shumë pritet të mësojnë bashkë me deputetët demokratë në mbledhjen e grupit të parashikuar ditën e hënë, ora 10.00.
Për djegien e mandateve, në emër të qeverisë reagoi edhe Elisa Spiropali: “Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë”.
Në nenin 71 të Kushtetutës përcaktohet se mandati i deputetit mund të mbarojë edhe kur hiqet dorë prej tij, pa pritur mungesën për 6 muaj me radhë. Menjëherë pas këtij veprimi, deputeti, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të deklarojë në mëyrë publike vendimin para Komisonit për Rregulloren dhe Mandatet.
Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës, për t’i kaluar mandatin e ndërprerë kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike. Nëse lista e kandidatëve partiakë shterohet, atëherë mandati i ndërprerë i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë, njofton TCH.
Etiketa: Lulzim Basha, Opozita, Qeveria, Shqipëri