E premte, 16 Maj 2014
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi huan prej 100 milionë dollarë për Politikat e Zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar në Shqipëri. Huaja ka si synim të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës si dhe të zbusë cenueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar.
Huaja mbështet axhendën e reformave të qeverisë, duke trajtuar sfida kyçe të sektorit financiar. Në mënyrë specifike, huaja mbështet reformat në tri fusha të gjera. Fusha e parë përqendrohet te forcimi i aspekteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të sektorit privat dhe te përmirësimi i rrjetës së sigurisë financiare. Këto përpjekje pritet që të përmirësojnë përgatitjen e bankave për të përballuar krizat dhe të përmirësojnë kuadrin e sigurimeve të depozitave. Fusha e dytë mbështet përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija.
Si rezultat i këtyre masave, përqindja e kredive të këqija pritet që të ulet në mënyrë të konsiderueshme deri në fillim të vitit 2015. Reduktimi i kredive të këqija do të mbrojë stabilitetin financiar dhe do t’u japë mundësi më mira bankave që t’iu përgjigjen kërkesave për kredi. Fusha e tretë përqendrohet në forcimin e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ajo përpiqet të forcojë pavarësinë operacionale dhe kapacitetin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke e lejuar që rregullojë dhe të mbikëqyrë institucionet financiare jobankare në mënyrë sa më efektive./shekulli/
Etiketa: Banka Botërore, Shqipëri