BE 5 milion euro për adresat e kosovarëve


E martë, 16 Korrik 2013

Prishtinë 16 korrik – Projekti i financuar nga BE “Mbështetje për Agjencinë e regjistrimit Civil dhe Sistemin e Unifikuar të Adresave” ka hyrë në fazën e tij përfundimtare.

Agjencia Kadastrale e Kosovës me mbështetjen e projektit ka prezantuar Sistemin Informativ të Regjistrit të Adresave (ARIS), i cili do të shërbejë si regjistër elektronik i adresave për mbarë Kosovën, përfshirë edhe hartat digjitale të adresave.

Këtij sistemi i ka paraprirë një punë e bërë në terren nëpër komuna, për të mbledhë të dhënat e nevojshme për rrugët, emrat e rrugëve, ndërtesat dhe hyrjet që ndodhen në to.

Komunat janë entitetet kompetente për mirëmbajtjen dhe përditësimin e të dhënave të adresave në ARIS, ndërsa Agjencia Kadastrale mbikëqyr dhe mirëmban sistemin në nivel qendror.

Përveç kësaj, sistemi “GeoPortal” do të prezantohet dhe do të mundësojë qasjen e qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara për të kërkuar adresa, ashtu siç përcaktohet nga Agjencia Kadastrale përmes ARIS. Shefi i operacioneve në Zyren e BE/PSBE, Christof Stock, tha:

“Sistemi i adresave do të jetë i dobishëm për të gjithë në Kosovë; institucionet publike si gjykatat, kompanitë prodhuese, bizneset private dhe amvisëritë. Me një sistem të unifikuar të adresave mund të përmirësohen një sërë shërbimesh, që nga shpërndarja e postës e deri te shërbimet më të shpejta emergjente.”

Janë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me dy pilot komuna, Deçani dhe Fushë Kosova, për vendosjen e emërtimeve të rrugëve. Vendosja e emërtimeve të rrugëve në këto dy komuna është paraparë të përfundojë në fillim të vjeshtës së vitit 2013.

Regjistri i adresave do të lidhet me regjistrin e statusit civil, ashtu që secili qytetar do të regjistrohet me një adresë zyrtare.

Në kuadër të këtij projekti, komunat dhe institucionet përkatëse janë trajnuar, kanë marrë dokumentacione dhe kanë pasur staf mbështetës për përgatitjen e ARIS. Projekti prej 5 milionë eurosh menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga B&S Evropë.

Etiketa:
Të fundit