E hënë, 17 Mars 2014
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë ditës së sotme do të vendosin sanksionet kundër Rusisë në lidhje me mbajtjen e referendumit në Krime.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të takohen sot në Bruksel, për të vendosur ngrirjen e pasurive dhe vënien e sanksioneve për viza ndaj disa zyrtarëve rus, duke dënuar kështu mbajtjen e referendumit në mënyrë të paligjshme.
Sanksionet nga Shtetet e Bashkuara pritet që të vijnë po ashtu menjëherë pas përfundimit të referendumit, Obama ia ka bërë me dije homologut rus, se nuk do t’i njohin asnjëherë rezultatet.
Votuesit e përkatësisë ruse në Krime festuan mbrëmjen e djeshme atë që e konsiderojnë si fitore në përpjekjet për shkëputje nga Ukraina dhe ribashkim me atdheun e tyre.
Pritej në shkallë të gjerë që rezultatet të tregonin një mbështetje në masë për bashkimin me Rusinë, por ka gjasa që shifrat të konsiderohen si të manipuluara. Ukrainasit në Kiev shprehën kundërshtim të fortë kundër referendumit dhe mënyrës si u zhvillua.
Moska pretendon se po mbron rusët nga përndjekja e ekstremistëve ukrainas, të cilët erdhën në pushtet pas protestave antiqeveritare që morën tipare të dhunshme.
Etiketa: Amerika, Bashkimi Europian, Krimea, Rusia, sanksionet