E diel, 31 Gusht 2014
Bruksel – Bashkimi Evropian i ka dhënë Rusisë një javë kohë që të ndryshojë kursin në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të reja.
Vendimi u mor në përfundim të takimit të së shtunës në Bruksel. Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy tha se BE-ja po punon intensivisht me masat e nevojshme kufizuese që do të merren ndaj Rusisë.
“Bashkimi Evropian është gati të marrë masat e nevojshme në bazë të rrjedhës së ngjarjeve në terren. Nuk ka kohë për të humbur”, tha Rompuy.
Udhëheqësit perëndimorë thonë se ka prova të qarta që njësitë e rregullta ushtarake ruse veprojnë brenda Ukrainës me armë të rënda. Por Rusia mohon akuzat e Perëndimit se forcat e saj kanë kaluar ilegalisht në Ukrainë, për të mbështetur separatistët atje.
Rebelët pro-ruse kanë arritur fitore kundër trupave të Ukrainës në ditët e fundit në pjesën lindore të vendit në Donetsk dhe Luhansk. 2.600 njerëz kanë vdekur deri tani në luftime.
Konflikti në lindje shpërtheu në prill pas aneksimit nga Rusia të gadishullit jugor të Krime të Ukrainës, një muaj përpara./shekulli/