BE-ja shqyrton idenë për vendosjen e ‘pasaportave COVID-19’


E hënë, 18 Janar 2021

BRUKSEL – Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar idenë për vendosjen e të ashtuquajturave “pasaporta COVID-19″, të cilat do t’u mundësonin udhëtim të papenguar qytetarëve të cilët vaksinohen kundër coronavirusit.

Këtë gjë e kanë konfirmuar në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ndonëse për këtë ide ka sfida ligjore.

Burimet thonë se kjo është “një ide e cila meriton të shqyrtohet në nivel të BE-së”.

Sipas kësaj ideje, të gjithë personat të cilët do të vaksinoheshin kundër sëmundjes COVID-19 – që e shkakton coronavirusi i ri – do të merrnin një certifikate me të cilën do ta dëshmonin këtë dhe kjo do t’u mundësonte udhëtim të papenguar.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, kjo do të ishte diçka e ngjashme me certifikatat për testim që kërkohen sot nga disa shtete për të hyrë në territorin e tyre.

Fillimisht këtë ide e kishte përmendur kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në një letër që i kishte dërguar Komisionit Evropian dhe liderëve tjerë të BE-së.

Edhe kryeministri i Portugalisë, Antonia Costa, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-në, ka shprehur mbështetje për një gjë të tillë. Për vendet si Portugalia e Greqia, ekonomitë e së cilave varen shumë nga turizmi, mundësia e udhëtimit është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar një sezon sadopak të suksesshëm turistik këtë vit.

Idenë për “pasaportat COVID-19” e ka përkrahur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por më vonë nga Komisioni Evropian kanë sqaruar se ajo e ka bërë këtë “në cilësinë private nga përvoja e saj si ish-punonjëse në shëndetësi”.

Liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë këtë ide në një samit virtual, që do të mbahet të enjten, më 21 janar.

Por, siç është shprehur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, “një gjë e tillë do të krijojë një frustrim të madh nëse fillon të zbatohet tepër herët”, pasi sipas tij, askush nuk e di se kur do të mund të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët duan të vaksinohen.

Por, ai ka konfirmuar se për këtë ide do të diskutohet në samitin të cilin ai do ta udhëheqë.

“Nëse një debat është i komplikuar, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të debatohet fare. Duhet të shqyrtojmë se a pajtohemi që të ketë certifikata të vaksinimit dhe, nëse po, kur do të jenë ato të duhura”, ka thënë Michel teksa ka folur për një televizion holandez, transmeton Telegrafi.

Etiketa: , , ,
Të fundit