E hënë, 10 Shkurt 2014
Shkup, 10 shkurt- Para disa ditësh, Parlamenti Evropian miratoni Rezolutën për përparimin e Maqedonisë në vitin 2013, të propozuar nga eurodeputeti britanik Riçard Hovit.
Në tekstin e kësaj Rezolute shprehet keqardhje për shtyrjen e datës për fillimin e negociatave të Maqedonisë me Bashkimin Evropian. Rezoluta ka specifikuar detyrimet e shtetit që të vazhdojë reformat, ndërsa është përmendur këtu edhe çështja e ngulfatjes së lirisë së mediave, ndërsa është përmendur rasti i dënimit të gazetarit Tomisllav Kezharovski.
Fillimisht raportuesi për Maqedoninë, Riçard Hovit, shprehu kënaqësi nga përmbajtja e raportit të tij me të cilin edhe njëherë u kërkua nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE), të konstatojë pa prolongim datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Në këtë rast, Hovit posaçërisht insistonte se shqetësimi i tij është që vendi të përparojë, prandaj ai propozon që KE-ja t’i japë Maqedonisë statutin e “ekonomisë funksionale të tregut”, me çka do të garantohen investimet e huaja.
Megjithatë, edhe gjatë diskutimeve të eurodeputetëve vërehej qartë kritika në adresë të institucioneve shtetërore të Maqedonisë. Në këtë aspekt, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Bekim Kadriu thekson për “Zhurnal plus”, se kriteret dhe kushtet e kërkuara nga ana e zyrtarëve evropianë.
“Ata na thonë qartë, nëse i përmbushni kriteret anëtarësoheni, nëse nuk i përmbushni mbeteni jashtë. Në mënyrë deklarative ata thonë se Maqedonia duhet që të anëtarësohet, mirëpo në parim kjo varet nga vullneti i vendit. Organizata ndërkombëtare rri anash dhe monitoron dhe konstaton nëse ka plotësim të kushteve apo jo”, ka thënë Kadriu.
Ai thotë se deri tash Komisioni Evropian në parim ka bërë rekomandime, mirëpo fillim të negociatave nuk ka pasur për shkak të bllokimit nga ana e Greqisë.
Ndërkohë edhe gjatë diskutimit për Rezolutën për Maqedoninë, eurodeputetët grekë të mbështetur nga një pjesë e eurodeputetëve bullgarë, theksuan se bllokada ndaj Maqedonisë nuk është për shkak të kontestit të emrit, por është për shkak të një sërë problemeve tjera të cilat nuk janë zgjidhur brenda në vend, por edhe në marrëdhëniet brenda vendit. Ish-ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka kritikuar Qeverinë e Maqedonisë për mënyrën e saj të qeverisjes, veçmas për mosrespektimin e të drejtave të komuniteteve, lirisë së medias, e të ngjashme.
“Nuk ka shpresa për sukses për shtetin që t’i arrijë aspiratat integruese përderisa Qeveria nuk e ndryshon mënyrën e sjelljes, inkuadrimin e shoqërisë civile, të respektojë lirinë e shprehjes të respektojë komunitetet”, ka thënë Fuere. Kreu politik në Shkup patjetër e ka të bëjë hapa historikë të ngjashëm sikur ai që u arrit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë presidenti i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Jelko Kacin.
“Liderët politik në Maqedoni duhet të ballafaqohen me këta sfida, dhe jo të gjejnë arsye për mosveprimin në bllokimin nga Athina”, ka thënë Kacin, para debatit të sotëm për miratimin e Raportit të Richard Hovitit për progresin e Maqedonisë. Sipas Kacinit, është i nevojshëm aktivitet më i madh në drejtim të përmirësimit të sinqertë të marrëdhënieve me të gjitha fqinjët dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Në këtë aspekt, drejtori Ekzekutiv i Institutit për Hulumtime dhe Politika Kërkimore, Bashkim Bakiu, më herët për “Zhurnal plus”, se nuk beson se do të ketë ndonjë përparim sa i përket eurointegrimeve, sidomos gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. “Greqia do të vazhdojë politikën e saj të njëjtë si dhe qëndrimin që Maqedonia ta ndryshojë emrin.
Përveç emrit, Maqedonia realisht ballafaqohet edhe me politika të tjera të cilat duhet t’i përmirësojë me qëllim të harmonizimit të legjislaturës me atë evropiane. Mendoj se këtë periudhë do të ballafaqohemi me një kritikë më serioze dhe më direkte sa i përket reformave që duhet ndërmarrë shteti. Në fakt ndryshimi i partive nuk është diçka që mund të ndodhë ad-hok, por është proces”, ka thënë Bakiu./zhurnal/
Etiketa: Bashkimi Europian, Maqedonia