Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

BE raporton se muri në Mitrovicë ishte pjesë e projektit!

Prizren Post | 09:48 - 10.12.2016

Bruksel – Muri i ndërtuar para disa ditëve në veri të vendit është pjesë e projektit të Brukselit për rivitalizimin e urës së Ibrit dhe do të shërbejë si shkallë për lidhjen e unazës së komunikacionit me zonën e këmbësorëve. Ndërsa ministrja Tahiri premton se shkeljet do të korrigjohen.

Muri në afërsi të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës është pjesë e projektit për rivitalizimin e urës dhe do të lidhë unazën e asaj rruge me zonën e këmbësorëve.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët kanë thënë se në fakt ai nuk do të jetë mur, por shkallë që do të mundësojë lëvizjen e qytetarëve nga njëra anë në tjetrën, shkruan “Zëri”.

Ndërsa, përfaqësuesit e institucioneve të vendit ende nuk kanë qëndrim të prerë rreth kësaj çështjeje. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e saj, të cilët kanë bërë matjet dhe është bërë prerje e një pjese të murit, por nuk e kanë rrënuar atë.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka thënë se muri që u ndërtua afër urës së Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.

“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, ka deklaruar Kocijançiç.


Arivisti Company