Beograd-Podgoricë: Përplasje për Kosovën


E shtunë, 4 Shkurt 2017

Beograd – Një përplasje jashtë kornizave të mirësjelljes diplomatike është raportuar të ketë ndodhur në takimin mes ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, të premten, në Beograd, në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në Serbi të kreut të Qeverisë malazeze.

Siç raporton gazeta serbe “Novosti”, ka qenë Kosova shkaku i tensionimit të bisedës, pasi që shefi i diplomacisë serbe, Daçiq, ia zuri për të madhe kryeministrit Markoviq faktin që Mali i Zi kishte votuar për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dy vjet më parë, përcjell Koha Ditore.

“Sipas informatave tona, Daçiqi ia paraqiti Markoviqit… qëndrimin se lëvizjet e Podgoricës, kur bëhet fjalë për Kosovën, nuk shkojnë në favor të marrëdhënieve mes dy shteteve (Serbisë dhe Malit të Zi)”, shkruan “Novosti”, duke vazhduar se ky deklarim “pa dorëza” i ministrit të Jashtëm serb ka shkaktuar që takimi “për ca momente të dalë jashtë atmosferës së kurtoazisë diplomatike”.

Markoviqi, i cili të premten ka takuar edhe kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin Tomislav Nikoliq, gjatë deklarimit publik para mediave ka thënë se asnjë vendim i autoriteteve malazeze nuk ka qenë i drejtuar kundër Serbisë, dhe ka theksuar se dy vendet e tyre “kanë pasur një histori të përbashkët, por se tani secila merr vendime në interes të vetin”./Koha.net/

Etiketa: , ,
Të fundit