Beqiri: Opozitarët s’kanë alternativë e as argumente


E martë, 22 Shtator 2015

Prishtinë – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se gjuajtja me vezë e Kryeministrit Mustafa nuk i bënë nder Kosovës.

Beqiri poashtu tha se tendenca për të instaluar praktika të tilla është logjikë e mbrapshtë, ndërsa ka refuzuar të komentojë deklaratat e shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

“Sot s’ka pasur lidhje të qenit në pozitë apo opozitë, por sjellja të cilën e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës. Veprimi i sotëm tregon se opozitarët jo vetëm që nuk kanë alternativë, argumente, por s’kanë as nerva. Këto gjëra nuk i bëjnë nder as Kosovës, as institucioneve, por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Tentimi për të instaluar këto gjëra në Kuvendin e Kosovës është logjikë e mbrapshtë. Përkundër veprimeve të tilla shumë arrogante, ne mendojmë dhe do të duhej që seanca duhet të vazhdojë. Kryeministri i vendit e ka pasur dhe e ka vendosmërinë që të raportojë”.

Sipas tij, nuk mund të atakohen asnjë nga përfaqësuesit e qytetarëve.

“Këto veprime janë të rrezikshme dhe dëmshme për vendin. M’kurseni nga komentimi i atyre që ka thënë Donika Kadaj-Bujupi. Ajo po e harron që Marrëveshja është votuar më 27 qershor 2013 dhe kjo që ka ndodhë është derivat i saj. Nëse deputetja dhe kolegët e saj mendojnë se kështu mund ta dëmtojnë zhvillimin e vendit, kjo nuk do të ndodhë”, tha Beqiri.

Etiketa: , ,
Të fundit