E mërkurë, 10 Dhjetor 2014
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka braktisur ceremoninë e organizuar nga OSBE-ja me rastin e ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Ish-kreu i PD-së doli nga salla pasi mori fjalën kryeministri, Edi Rama.
Berisha, pas largimit duke folur për vendimin e tij tha se u largua pasi po fliste “dhunuesi i të drejtave të njeriut”.
“Braktisa në shenjë proteste pritjen e OSBE-së për shkak të Edi Ramës! U largova nga pritja pasi në këtë pritje fjala iu dha Edi Ramës për të folur për këtë ditë. Në largimin tim e sipër i thashë zv.ambasadorit të OSBE-së se po largohesha pasi nuk mund të dëgjoj të flasë në këtë ditë: Dhunuesin kryesor të të drejtave të njeriut në Shqipëri”, shprehet Berisha.
“Në një qëndrim që kurrë nuk e kam mbajtur, unë u largova sepse nuk mund të dëgjoja të fliste për të drejtat e njeriut Edi Ramën, që ka mbushur burgjet dhe paraburgimet me njerëz të të gjitha moshave, gjendjeve shëndetësore, si në asnjë vend tjetër në Evropë dhe në botë.”
Ndërsa duke folur për deklaratën e ish-kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ka folur për anashkalimin e figurave të PD-së, Berisha tha se kjo gjë është një trillim.
Ndërsa në sqarimin e PD-së thuhet: Berisha u larguar pasi foli dhunuesi më i madh i të drejtave të njeriut. Shqipëria renditet në vendin e parë në botë për të paraburgosur. Vendi ynë ka më shumë të paraburgosur se Siria dhe Iraku.
Berisha në fund, i bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, komiteteve ndërkombëtare kundër torturës që të angazhohen dhe të hetojnë situatën në Shqipëri dhe të mbajnë qëndrim. Këto organizata kanë dënuar vazhdimisht veprimet e Berishës gjatë kohës që ia ishte president apo kryeministër.
Rama: Nuk e prisja që opozita të më dëgjonte
Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, kryeministri Edi Rama ka përshëndetur rolin e OSBE-së në Shqipëri. Në një aktivitet të zhvilluar nga kjo organizatë, shefi i qeverisë tha se OSBE ka bërë një punë të shkëlqyer në Shqipëri.
“Sot duhet të vlerësojmë lart ndihmesën e OSBE në kalvarin e gjatë që na u desh të kalonim deri në çlirimin e zgjedhjeve. Duhet të bëjmë në Ballkan ato që janë të nevojshme. OSBE na përcjell ekspertizë, këshilla dhe mbështetje në këtë rrugë dhe proces”, tha Rama.
Kryeministri komentoi edhe largimin e Beishës, duke përshëndetur opozitarët që qëndruan në sallë. “Nuk e kisha pritur kurrë që opozita të rrinte edhe të dëgjonte fjalën time, dhe falënderoj opozitën që dëgjoi fjalën time, këtu në praninë e OSBE-së”, nënvizoi ai.
Etiketa: Edi Rama, osce, Sali Berisha, Shqipëria