Kupola kriminale e Thaçit shuhet më 8 qershor


E diel, 1 Qershor 2014

Intervistoi Robin Koka/AMA-NEWS

Kryetari i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit është pjesë e listës së kandidatëve të “Nismës”, lider i së cilës është Fatmir Limaj. Njësoj si Limaj dhe Berisha për shumë vjet ka qenë figurë kyçe e PDK-së, për Prizren, por dhe i përkëdheluri i kryeministrit Thaçi në këtë qytet. Pas ‘ngricave’ që ndodhen mes tij dhe kreu i PDK-së, Berisha para 4 vitesh largohet përfundimisht nga PDK, duke akuzuar drejtuesin e saj si oligark dhe satrap. Pas dorëheqjes ai krijoi formacionin e tij politik në qytetin e tij, Prizrenin, të quajtur Bashkimi Demokratik. Berisha qe i pari që e krahasoi qeverinë e drejtuar nga Thaçi, me bandën kriminale të “Cosa Nostras”. Në zgjedhjet lokale në qytetin e Lidhjes së shqiptarëve partia e Zafir Berishës arriti të dalë partia e tretë në Prizren, çka vërtetoi simpatinë dhe përkrahjen që ka në Prizren, dhe jo vetëm. I bindur se do të përfaqësojë vlerat që i kanë munguar spektrit politikë të Kosovës, Berisha tha se ‘Nisma’ do të jetëajo që do të vendosë modelin e qeverisjes së ardhshme 4 vjeçare.

Z. Berisha, keni bërë koalicion parazgjedhor me partinë e z. Limajt, çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Jemi shumë optimistë sepse kombinimi politik që mban numrin 59 në këto zgjedhje do të dalë fuqishëm si një alternativë politike e cila i ka munguar spektrit politik që nga pas lufta në Kosovë.

Më pak se 10 ditë na ndajnë nga zgjedhjet dhe fjalori politik është ashpërsuar, madje dhe ju vetë keni akuzuar rëndë PDK-në, kur e keni quajtur ‘bandë kriminale’, ‘shantazhuese’… si është e vërteta?

E vërteta është ajo që e kam thënë vazhdimisht, se kupola e krimit të organizuar në Kosovë është Hashim Thaçi dhe njësitet parapolitike të cilët vitet e fundit e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në sytë e faktorit ndërkombëtar, e kanë dëmtuar edhe më rëndë buxhetin e varfër të Kosovës i cili keqpërdoret nga parapolitika në pushtet. Kjo garniturë politike ka vazhduar ta falë pasurinë e Kosovës përmes Agjencisë së Privatizimit si dhe shumë veprime të dëmshme të cilat nuk duan koment se e bëjnë të qëndrueshëm pozicionin tonë rreth Hashim Thaçit dhe PDK-së.

Mundësia për zgjedhje të ndershme është e pakët, dhe kur them këtë kam parasysh eksperiencat e zgjedhjeve të kaluara ku vota vidhet, dhe blihet, aq më tepër që ju nuk keni as komisionerë dhe rreziku që “Nisma” të dëmtohet është i madh?

Është e vërtetë se ne nuk do të kemi komisioner në këto zgjedhje por sido që të jetë, jemi shumë të përgatitur përmes vëzhguesve dhe vullnetarëve tanë për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve me 8 qershor. Partia në pushtet ka prirje për manipulim të procesit zgjedhor dhe jo rastësisht PDK-ja ka qenë bllokuese e reformës zgjedhore në Kosovë që prej tri vitesh dhe e ka sjellë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme me ligj të vjetër, ligj i cili është vërejtur se ka shumë defekte dhe lë shumë mundësi për manipulime siç ndodhi në zgjedhjet parlamentare te vitit 2010.

Sondazhet “Nismën” e lënë jashtë parlamentit, si i gjykoni ato dhe sipas sondazheve tuaja cila do të jetë renditja e “Nismës”?

Sondazhet që po publikohen janë shumë të pabesueshme sepse janë të orkestruara nga financuesit e këtyre sondazheve. Përkundrazi, realiteti në terren tregon se NISMA për Kosovën edhe pse për herë të parë në zgjedhje do të jetë forcë serioze politike, me besimin e madh që do të dalë nga zgjedhjet si një forcë e fuqishme e cila do të vendosë modelin e qeverisjes së ardhshme 4 vjeçare.

Pse duhet të largohet Thaçi nga pushteti?

Hashim Thaçi dhe garnitura e tij politike siç e thashë edhe më lart, e kanë dëmtuar rëndë perspektivën evropiane të Kosovës, prandaj mendoj se është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj që me 8 qershor ta ndëshkojë këtë klasë politike dhe t’i hapim rrugë zhvillimit ekonomik dhe integrimit të vendit tonë.

Pse duheni votuar ju si deputet dhe Nisma si parti?

Unë dhe një pjesë e kandidatëve në listën e NISMES edhe në të kaluarën kemi treguar gatishmëri për të punuar për shtetin e Kosovës duke qenë pjesë aktive e përgatitjes dhe luftës për lirinë e Kosovës. Kemi qenë pjesë aktive në shumë procese politike të vendit duke qenë edhe disa prej nesh kanë qenë deputetë në legjislaturat e kaluara, prandaj edhe kësaj radhe mendojmë se rikthimi ynë në institucionet e vendit do të jetë një fuqizim në nivelin më të lartë të përgjegjësisë për shtetin e Kosovës.

Të fundit