E mërkurë, 16 Dhjetor 2015
Tiranë – Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot ambasadorin gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, të cilin e akuzoi se bën avokatin e qeverisë “Rama”. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Berisha tha se Hoffman, më shumë se për bunkerin, duhej të ishte tronditur për zgjedhjet e fundit.
“Helmut Hoffman duhet të ishte tronditur më shumë për zgjedhjet, por kur merr përsipër të bësh avokatin e qeverisë që në fillim, e ke të vështirë të tronditesh për gjëra që nuk i interesojnë qeverisë. Kam pasur mundësi t’ia bëj të ditur qëndrimin tim dhe po e them edhe publikisht.
Hofman është diplomati i vetëm në Tiranë dhe i vetmi njeri pas Muç Nanos, që tha: Po, këto zgjedhje ishin më të mira se të parat. Dhe argumenti që dha Hoffman ishte argument i mjerueshëm. “Kam biseduar me 3 ose 4 shqiptarë, me disa shqiptarë që mendoj se janë të pavarur”. Unë i them zotërisë, kam 25 vjet qe merrem me politikë dhe nuk gjej dot një të pavarur në politikë. Mund të ketë, por unë nuk gjej dot njeri”, tha Berisha.
Ambasadori gjerman, Hoffman, ishte i vetmi diplomat që ndoqi nga afër protestën e fundit të opozitës dhe djegien e bunkerit në afërsi të Ministrisë së Brendshme. Dy ditë më pas, Hoffman u shpreh se ishte i tronditur nga ajo që pa në protestë dhe e dënoi dhunën e ushtruar gjatë saj.
Etiketa: Sali Berisha, Shqipëri