Biden vjen në Kosovë për ta zgjidhur problemin e tejzgjatur të demarkacionit


E premte, 12 Gusht 2016

biden

Prishtinë – Vizita e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, do ta japë edhe një mesazh për demarkacionin me Malin e Zi për liderët kosovarë, por kjo s’do të jetë çështja kryesore që do të diskutohet gjatë takimeve që do t’i realizojë në Kosovë.

Kështu mendon analisti politik, Ilir Ibrahimi i cili gjatë një interviste në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, po ashtu tha se puna e demarkimit me Malin e Zi, është tepruar.

“Fokusi i vizitës së tij do të jetë siguria rajonale. Kjo duke pasur parasysh për ato që po ndodhin në Turqi dhe Rusi, dhe Kosova me këtë rast bëhet vend me shumë interes gjeonacional për Amerikën”.

“Demarkacioni nuk do të duhej të ishte çështje kryesore as për Kosovën e lëre më për Biden. Në çdo demarkacion diku humb diku fiton, duhet të gjendet metoda ku të humbet më pak. Pozicioni zyrtar i SHBA-ve është se Kosova nuk humbë asgjë nga demarkacioni.

“Biden do ta japë një mesazh për demarkacionin, por kjo s’do të jetë pika kyçe e vizitës. Biden do t’ua kërkojë liderëve që ta tejkalojnë demarkacionin dhe ta ratifikojnë”.

Sipas Ibrahimi, çështjet kryesore për të cilat Biden do të flasë në Kosovë kur të takohet me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi, përveç sigurisë rajonale, do të jenë korrupsioni dhe lufta kundër terrorizmit.

“Biden është mik i madh i shqiptarëve dhe njëri ndër njohësit më të mirë të rajonit. Ai ishte gjithmonë përkrahës i hapur i Kosovës. Ai ka qenë disa herë në rajon dhe kjo është vizita e tij e fundit dhe një zëvendëspresidenti amerikan nuk vjen pa ndonjë arsye në rajonin e Ballkanit”.

“Pritet që ai të falsë për sigurinë rajonale dhe për luftën kundër terrorizmit”.

Duke folur mbi marrëdhëniet ndërshtetërore të Kosova ka me Amerikën, Ibrahimi i cilëson si tejet të mira raportet në mes të dyja vendeve, duke thënë se kosovarët e duan shumë Amerikën dhe se një vend mik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, s’duhet humbur assesi.

“Nuk vihet në pikëpyetje marrëdhënia e mirë në mes Kosovës dhe Amerikës. Pavarësisht diskurseve politike se ‘Amerika po na e merr tokën’, kosovarët janë shumë pro-amerikanë. Miqësia me Amerikën është e domosdoshme në këtë botë ku ka luftë dhe armiqësi”, ka deklaruar Ibrahimi.

Biden do të vijë në Kosovë me 16 gusht, ndërsa menjëherë të nesërmen ai do të takohet me Mustafën e Thaçin, e po ashtu do ta vizitojë kampin ushtarak të SHBA-ve “Bondsteel”. /KlanKosova/