E enjte, 21 Qershor 2018
Prishtinë – Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike me Serbinë, Avni Arifi, thotë se bisedimet aktuale ndodhen në një fazë kritike për të ardhmen e vendit. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Arifi thotë se nuk pret ndonjë rezultat nga takimi i caktuar për të dielën ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Alëksandër Vuçiq.
Ai thotë se deklaratat e zyrtarëve serb po i hedhin siç thotë një hije të rëndë takimit.
“Edhe herën e fundit ka pasur pritje të ndryshme dhe takimi i fundit ka shkuar shumë keq faktikisht. Pritje nuk kam. Të presim çfarë po ndodh me marrëveshjen, aq më parë u habita kur me gjithë insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian se ekziston një marrëveshje për energji, është e pakuptueshme dhe e çuditshme kur presidenti i Serbisë dhe kryeministrja dalin e flasin se nuk ka marrëveshje për energji. Një lloj cinizmi i tillë i sjellë një hije të zezë apo një hije të rëndë të këtij takimi dhe i humb shpresat që do të ketë një zhvillim konstruktiv në këtë aspekt. Nuk kam pritje fare, nuk besoj që do të ketë diçka të mirë por megjithatë mirë që po takohen”, tha ai.
Partitë politike në Kosovë janë përfshirë në debate për të ardhmen e bisedimeve dhe rolin udhëheqës të tyre. Derisa presidenti Thaçi thotë se me kushtetutë dhe ligje e ka detyrim që të përfaqësojë Kosovën dhe t’u prijë bisedimeve deri në fund të këtij procesi, partitë opozitare mendojnë se është parlamenti ai që mund t’i jap mandatin udhëheqjes së bisedimeve.
Arifi thotë se është shumë me rëndësi që partitë politike në Kosovë të merren vesh për të ardhmen e bisedimeve.
“Është mirë që në nivel të shefave të grupeve parlamentare, në nivel të kryetarëve të partive të mbërrijnë te një marrëveshje sepse jo që vetëm e vështirëson por besoj që edhe dëmton procesin dhe duhet të jemi së bashku në këtë proces”, tha ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që të takohet të dielën në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Takimi shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Por, kësaj radhe nuk do të ketë takim ndërmjet ekipeve teknike që zakonisht hapin rrugën për bisedime politike.
Arifi thotë se takimet e tilla nuk kanë kuptim pa zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, posaçërisht të asaj për energjinë.
“Zbatimi i marrëveshjes së energjisë nuk është proces, është akt, zbatimi do të filloj menjëherë vetëm me një vullnet politik në Beograd përderisa është e kotë që ne të shkojmë në Bruksel kur Serbia nuk ka vullnet politik për zbatimin e marrëveshjes. Nëse nuk ka vullnet politik të zbatimit të kësaj marrëveshjeje atëherë pse të shkojmë ne në Bruksel, pse të diskutojmë tema tjera kur është çështje thjeshtë e pastër e mungesës së vullnetit politik për një temë shumë të rëndësishme për Kosovën e cila mbyllet për dy apo tri bisedime”, tha Arifi.
Ai thotë se mospajtime të thella po ndjekin edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, meqë të dyja palët po flasin koncepte të ndryshme.
“Ne e kemi dëgjuar edhe më herët nga Federica Mogherini pastaj edhe tash në Bruksel u tha haptazi se Asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë brenda për brenda kornizës kushtetuese dhe ligjeve të Kosovës. Mirëpo megjithatë Beogradi po vazhdon të pretendojë se me asociacion kanë në mendje Republika Serpska dhe sipas veprimeve të deritanishme dhe qëndrimeve politike, nuk besoj që jemi duke folur për të njëjtën marrëveshje”, tha ai.
Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Arifi thotë se qëndrimi i shumicës së forcave politike në Kosovë është që nuk do të ketë ndryshime të tilla.
Etiketa: Avni Arifi, Dialogu Kosovë-Serbi