Bizneset e veriut pa kuponë fiskal


E hënë, 26 Tetor 2020

MITROVICË – Biznese të profileve të ndryshme operojnë në katër komunat e banuara më shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), por në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë të regjistruara vetëm 981 biznese më gjithsej 1,316 njësi aktive.

Nga ky numër, tatim në ATK paguajnë vetëm 255 biznese. Nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e tatimeve të marra nga këto biznese, pa kontribute pensionale është 663 mijë euro, thonë zyrtarë të administratës.

Tatimet janë burimi kryesor i mbledhjes së të hyrave publike me të cilat shteti i plotëson të dalat publike.

Por, shifrat për regjistrimin e bizneseve ndryshojnë nga ato të ATK-së.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se në pjesën veriore të Kosovës janë të regjistruara 3,740 biznese.

Sipas ATK-së, këto biznese mund të jenë të regjistruara, por nuk janë aktive. Po ashtu, një numër i bizneseve mund të mos kenë përfunduar procedurat zyrtare për çregjistrim në ARBK.

Bizneset në veri nuk janë të pajisura me arka fiskale

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa nga bizneset aktive në pjesën veriore të Kosovës, pronarët e të cilave nuk kanë dashur të prononcohen para mikrofonit. Megjithatë, ata thonë se rregullisht paguajnë obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës.

Madje, një nga pronarët në veri thotë se, “nuk lëshon kuponë fiskal si të tjerët, por që ai rregullisht paguan detyrimet e tij tatimore, bazuar në qarkullimin, si dhe taksat mbi pagat për punonjësit, të cilat përfshijnë taksat dhe kontributet e sigurimeve pensionale”.

Etiketa: ,
Të fundit