Biznesi vlerëson Memorandumin mes odave ekonomike të Kosovës e Serbisë


E premte, 26 Korrik 2013

Prishtinë, 25 korrik – Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar në Bruksel në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë, vlerësohet pozitivisht nga Asociacione të biznesit dhe ekspertë.

Memorandumi që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të komunitetit të biznesit nga të dyja palët, nga kreu i Aleancës Kosovare i Bizneseve Agim Shahini vlerësohet e mirëseardhur.

Megjithëkëtë, ai thotë se me rëndësi është të respektohen marrëveshjet politike, sepse ato ekonomike po funksionojnë edhe pa marrëveshje:

“E rëndësishmja është që politikisht të respektohen marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë, sepse ekonomikisht Kosova- Serbinë e ka partnerin kryesor sa i përket importeve. Edhe pa marrëveshje ne kemi arritur që me Serbinë të kemi importin më të madh pas luftës”, theksoi ai.

Shahini thotë se Memorandumi është vetëm një formalitet për të përmbushur një kriter të Bashkimit Europian, ndryshe nuk pret të ndikojë në rritjen apo uljen e shkëmbimeve tregtare.

Nga ana e tij, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se Memorandumi është pjesë e frymës pozitive të përmirësimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

“Ky memorandum bashkëpunimi duhet t`i shërbejë zgjidhjeve të mundshme të problemeve të caktuara me të cilat mund të përballen në rend të parë bizneset e Kosovës gjatë plasimit të produkteve kosovare në shtetin e Serbisë, sepse në fund të fundit duhet potencuar se produktet e Serbisë kanë një treg të mirë në Kosovë dhe problemet e tilla nuk kanë ardhur zakonisht, jo nga institucionet shtetërore të Kosovës”, theksoi Zeka.

Edhe eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se tani duhet kërkohet të eliminohen barrierat e ndryshme nga ana e Serbisë:

“Kjo marrëveshje mund të jetë forma më e mirë për sigurimin e tregut për produkte kosovare, sepse Serbia ka bërë barriera të llojllojshme deri tani”, tha Rexhepi.

Por Rexhepi shtron dilemën e fuqisë së Odave qoftë asaj të Kosovës, qoftë asaj të Serbisë.

Etiketa: , , ,

Leave a Reply

Të fundit