E martë, 9 Korrik 2013
Prishtinë, 9 korrik – Anëtarët e Bordit drejtues të PTK-së së shpejti do të thirren në Komitetin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje për të dhënë llogari rreth rastit “Amodcs”.
PTK-ja është ende duke e pritur datën për fillimin e procesit gjyqësor pas ankesës që avokatët e tij kanë bërë ndaj vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Londrës që kjo e fundit t’i paguajë kompanisë izraelite 8.7 milionë euro dëmshpërblim. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se pret që së shpejti të marrë detajet rreth këtij rasti, mirëpo ka thënë se Fondi Investues që ka fituar garën për të blerë 75% të aksioneve të PTK-së nuk do t’i marrë përsipër kontestet.
Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Myzejene Selmani, ka thënë se në rast se blerësi me kontratë nuk e merr përsipër, atëherë qeveria do të duhet të paguajë gabimet që janë bërë nga vendimet e bordit politik. Zyrtarë të PTK-së kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë informatë për datën e fillimit të seancave të reja, mirëpo, për çfarëdo vendimi kjo ndërmarrje është e përgatitur.