Borrell kërkon që serbët t’i largojnë barrikadat në veri


E diel, 11 Dhjetor 2022

BRUKSEL – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që barrikadat e ngritura në veri të Kosovës të largohen menjëherë “nga grupet e serbëve të Kosovës”.

“Barrikadat duhet të largohen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të restaurohet”, shkroi Borrell në Twitter.

Në veri të Kosovës janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjeëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri të Kosovës, duhet të hiqen menjëherë.

Situatën në këtë pjesë të Kosovës janë duke e monitoruar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Etiketa: , , , ,
Të fundit