BQK: Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje rreth 3.7%


E enjte, 14 Qershor 2018

Prishtinë – Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2017, vlera nominale e BPV-së arriti në 6.3 miliardë euro.

Në terma real, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 3.7 për qind. Në kuadër të kërkesës së brendshme, aktiviteti i përgjithshëm në vend u mbështet nga përforcimi i pozicionit të investimeve, përderisa sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm u karakterizua me rënie. Kontribut pozitiv në rritjen reale të BPV-së kishte edhe pozicioni i neto eksporteve, që rezultoi nga rritja e theksuar vjetore me të cilën u karakterizua komponenta e eksportit të mallrave dhe shërbimeve.

“Rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar kryesisht nga rritja e investimeve prej 10.7 për qind (kryesisht rritjes së IHD-ve dhe kredive investive), si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve prej 23.8 për qind kundrejt rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve prej 5.5 për qind. Në vitin 2017, rritja e kërkesës së jashtme, si dhe rritja e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare është përkthyer në rritje të vlerës së gjithsej eksporteve të vendit në vitin 2017”, ka njoftuar BQK-ja në raportin vjetor për vitin 2017, shkruan Telegrafi.

Etiketa: