BQK-ja e përkushtuar për të forcuar stabilitetin financiar


E enjte, 5 Tetor 2023

PRISHTINË – Me bashkëorganizimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Rrjetit për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave, në partneritet me Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), për herë të parë në Prishtinë është mbajtur Forumi për Financat e Qëndrueshme.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në fjalën hyrëse të këtij forumi, ka theksuar se institucioni që ai drejton është i përkushtuar për të forcuar përpjekjet për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vendin tonë, ndaj rreziqeve të lidhura me mjedisin dhe klimën në veçanti.

Ai ka shtuar se BQK-ja ka hartuar strategjinë që do kontribuojë në forcimin dhe rregullimin e praktikave të bankave për të rritur stabilitetin financiar në vend.

“Veprimet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të adresuar rrezikun mjedisor do të jenë në drejtim të forcimit të kornizës rregullative dhe direktivave të Bashkimit Evropian dhe standardeve të Bazelit, forcimit të praktikave mbikëqyrëse, duke përfshirë vlerësimin dhe kuptimin e plotë të ekspozimit të bankave ndaj rreziqeve klimatike”, ka thënë guvernatori i BQK-së.

Gjithashtu, ai ka potencuar se BQK-ja do të punojë në ngritjen e kapaciteteve me qëllim të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe përshtatjes ndaj rreziqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të punojë në ngritjen e kapaciteteve të brendshme, rritjen e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse vendore, për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke marrë parasysh angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka potencuar guvernatori në këtë forum.

Tutje, ai tha se edukimi financiar dhe komunikimi më i gjerë përmes pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, punëtori, forume me qëllim të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e rreziqeve klimatike, është pjesë e planit të BQK-së.

Ndër të tjera, Ismaili në këtë forum ndërkombëtar tha se bankave qendrore i është shfaqur nevoja për të ndërmarrë veprime ndaj rreziqeve financiare që lidhën me klimën.

“Bankat potencialisht janë të ekspozuara ndaj rreziqeve financiare të lidhura me klimën, pavarësisht nga madhësia, kompleksiteti ose modeli i tyre i biznesit. Andaj, bankave qendrore, autoriteteve rregullatore, institucioneve financiare dhe politikëbërësve të tjerë, u është shfaqur nevoja për të ndërmarrë veprime në përgjigje të këtyre sfidave”, potencoi ai./KK

Etiketa: , ,
Të fundit