Bruksel, arrihet marrëveshja për telekomunikacion


E martë, 25 Gusht 2015

20150825163845503620

Në bisedimet midis delegacionit të Prishtinës dhe të Serbisë në Bruksel, janë dakorduar që Serbia të ketë kompaninë e saj të telekomunikacionit në Kosovë, shkruan B92.

Anëtari i delegacionit serb, gjeneral Dragan Vladisavleviq, ka deklaruar se është arritur marrëveshja dhe se Serbia do të ketë kompaninë e saj të Telekomunikacionit në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Populli serb do të përdor gjithçka si deri më tani”, ka thënë Vladisavleviq i cili ka vlerësuar se kjo mund të cilësohet si përparim për palën serbe.

Vladisavleviq shpjegoi se kodi telefonik me kërkesë të Prishtinës do ta kërkojë Austria, por se ky fakt sipas tij nuk ndryshon asgjë kur është fjala për tarifën e thirrjeve telefonike.

Edhe pse është arritur marrëveshja për telekomunikacionin, ajo nuk do të nënshkruhet deri sa nuk arrihen marrëveshjet për pikët tjera, për të cilat janë duke u zhvilluar negociata në Bruksel.

“Në parim insistohet në pako. Ky është një propozim i dhënë nga ana e Brukselit, kurse Prishtina këmbëngul të nënshkruhet kur të arrihen marrëveshje rreth katër temave”, ka shtuar Vladisavleviq.

Në axhendën e delegacioneve të kryesuara nga kryeministri i Kosovws, Isa Mustafa dhe ai serb Aleksandar Vuçiq, janë edhe formimi i asociacionit të komunave serbe, energjetika si dhe liria e lëvizjes nëpër urën e Mitrovicës.

Besohet se problemi më i madh do të jetë arritja e marrëveshjes rreth çështjes së energjetikës, pasi Prishtina kërkon të jetë pronare e sistemit të shpërndarjes, gjë që është e papranueshme për Beogradin.

Bruksel, vazhdojnë takimet

Në Bruksel po vazhdojnë takimet në kuadër të raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar takimin me atë të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Paralajmërimin për këtë e ka bërë zëdhënësja e Mogherinit në rrjetin social `Twitter`.

Këto takime mbahen para se të nis ai në nivel kryeministrash mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ku pritet që të finalizohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për energjinë, për lirinë e lëvizjes si dhe ajo për telekomunikacionin.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa ka thënë se marrëveshjet që mund të arrihen janë në interes të sovranitetit të vendit dhe të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Ai thotë se në Bruksel nuk kanë shkuar për të bërë fushatë. Përmes një shkrimi në Facebook, kreu i ekzekutivit thekson se është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj që të përfundojnë me sukses marrëveshjet në disa fusha me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Ndërkohë ministrja për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri pati deklaruar pas raundit të bisedimeve në qershor, se palët kishin rënë dakord që barrikada e njohur si “parku i paqes”, do të hiqet më 1 tetor të këtij viti. Ndërsa revitalizimi si projekt i BE-së do të fillojë menjëherë pas heqjes së barrikadës dhe do të zgjasë gjashtë muaj.

Të fundit