Buxhuku: Banka të menaxhohet nga ndërkombëtarët


E martë, 26 Gusht 2014

Banka Qendrore Evropiane të hetojë dhe të auditojë Bankën e Shqipërisë. Ky është qëndrimi i biznesit të madh, i prezantuar nga Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, në lidhje me skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë.

Në njoftimin për shtyp, konfindustria ka kërkuar parashikimin me ligj për fillimin e menjëhershëm të negociatave me Bankën Qendrore Evropiane për kalimin e menjëhershëm të drejtimit të Bankës së Shqipërisë, në nivel ekzekutiv nga një personalitet ndërkombëtar i fushës. Po nën të njëjtin drejtim dhe strategji menaxhimi duhet të jetë edhe shumica relative në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas Buxhukut, funksionimi i Këshillit Mbikëqyrës duhet ti përkasë personaliteteve ndërkombëtare të fushës të propozuara nga Banka Qendrore Evropiane ose e bankave qendrore të vendeve të zhvilluara demokratike.

Konfindustria do ti kërkojë zyrtarisht qeverisë dhe vendimmarrjes politike marrjen e masave të jashtëzakonshme me qëllim kthimin me çdo kusht dhe sa më shpejt të besimit të investitorëve dhe qytetarëve. Besim që sipas tij është i lëkundur nga rënia tërësore e sistemit të menaxhimit të institucionit strategjik të Bankës së Shqipërisë. Sipas Gjergji Buxhukut, Konfindustria në këshillim me partnerë ndërkombëtarë vlerëson, se ndërhyrja e jashtëzakonshme në institucionin dhe legjislacionin mbi të cilën ushtrohet veprimtaria e Bankës së Shqipërisë, duhet të mbështetet në 2 shtylla kryesore. Së pari, parashikimin me ligj për fillimin e menjëhershëm të negociatave me Bankën Qendrore Evropiane për kalimin e menjëhershëm të drejtimit të BSH në nivel ekzekutiv nga një personalitet ndërkombëtar i fushës. Gjithashtu shumica relative në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ti përkasë personaliteteve ndërkombëtare të fushës të propozuara nga Banka Qendrore Evropiane dhe/ ose Bankave Qendrore të vendeve te zhvilluara demokratike./shekulli/

Etiketa:
Të fundit