E mërkurë, 19 Gusht 2026

Në ditët me temperatura të larta dhe ndryshime të forta atmosferike, stuhitë mund të shfaqen papritur dhe të shoqërohen me rrufe.
Për këtë arsye, një nga rregullat më të rëndësishme është të mos pritet fillimi i shiut për të kërkuar strehim. Rrufeja mund të godasë edhe kur reshjet nuk kanë nisur ende.
Shenjat e para të një stuhie të fortë janë shpesh retë shumë të zhvilluara vertikalisht, të njohura si cumulonimbus.
Situatat më të rrezikshme krijohen sidomos gjatë ditëve me vapë dhe lagështi të lartë. Në zona malore, kreshtat, majat dhe hapësirat e ekspozuara janë veçanërisht të rrezikshme.
Nëse ndodheni në mal dhe shfaqen shenja stuhie, duhet të zbrisni sa më shpejt në një zonë më të mbrojtur.
Një tregues i rëndësishëm është bubullima. Shkreptimat mund të shihen nga distanca të mëdha, veçanërisht gjatë natës, ndërsa bubullima dëgjohet vetëm kur stuhia është relativisht afër.
Nëse dëgjoni bubullima, kjo do të thotë se nuk është më momenti për të vazhduar aktivitetin në ambient të hapur. Strehimi më i sigurt është një ndërtesë e mbyllur.
Nëse nuk ka një të tillë pranë, një automjet me dyer dhe dritare të mbyllura mund të ofrojë mbrojtje të mirë. Struktura metalike e makinës ndihmon në përcjelljen e rrymës drejt tokës; mbrojtja nuk lidhet me gomat, siç besohet shpesh.
Nëse nuk ka asnjë strehë, duhet shmangur qëndrimi në pikën më të lartë të zonës. Pemët e vetmuara, shtyllat, gardhet dhe objektet e tjera të ekspozuara mund të rrisin rrezikun.
Është veçanërisht e rëndësishme të mos qëndrohet pranë një peme të izoluar. Në mal, nëse strehimi nuk është i mundur, duhet të minimizohet kontakti me tokën.
Është më mirë të qëndrohet me këmbët të bashkuara dhe të mos ulesh apo shtrihesh në tokë. Nëse jeni në grup, mbajtja e distancës nga njëri-tjetri ul mundësinë që një goditje e vetme të prekë disa persona.
Duhet shmangur gjithashtu kontakti me objekte metalike, si gardhe, parmakë dhe struktura të tjera përçuese. E njëjta gjë vlen për disa elemente metalike të tendave në kamping.
Uji është gjithashtu një përçues i mirë i elektricitetit. Për këtë arsye, gjatë një stuhie duhet shmangur deti, liqenet, pishinat dhe zonat e tjera ujore.
Plazhi është veçanërisht i ekspozuar, pasi kombinon hapësirën e hapur me praninë e ujit dhe objekteve të larta, si çadrat apo kallamat e peshkimit.
Edhe brenda shtëpisë duhet treguar kujdes. Gjatë një stuhie të fortë rekomandohet të shmangen pajisjet e lidhura me rrjetin elektrik, dhe kur është e mundur, të hiqe nga priza. Sepse rrufeja mund të transmetojë energji përmes instalimeve elektrike.
Stuhia nuk konsiderohet menjëherë e përfunduar sapo pushon shiu. Rregulli i sigurisë është të pritet të paktën 30 minuta pas bubullimës së fundit përpara se të dilet nga një strehë e sigurt.
Mbi të gjitha, çelësi është reagimi në kohë. Rrufeja nuk paralajmëron gjithmonë me reshje të forta, ndaj shenjat e para të një stuhie duhet të mjaftojnë për të kërkuar një vend të mbrojtur. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
