E premte, 30 Shtator 2016
Shkruan: Arben LLALLA
Deklarata e Komisionerit Hahn rreth problemeve të pazgjidhura që ekzistojnë mes Greqisë e Shqipërisë si kufiri detar dhe Çështja Çame ka futur marrëdhëniet midis dy vendeve në një ujdhesë të re, por ka ngjallur gjuhën e urrejtjes së Greqisë ndaj Bashkimit Europian dhe Komisionierit Hahn. Deklarata e këtij të fundit, jo vetëm i zuri në befasi deputetët grekë të Kuvendit të BE-së, por i dha një përgjigje shterruese deklaratës së bërë pak kohë më parë të ambasadores së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Kjo e fundit u shpreh se çështja e kufirit ishte zgjidhur me marrëveshjen e nënshkruar më 2009 dhe Çështja Çame nuk ekzistonte.
Tashmë, pas kaq shumë vitesh dhe përpjekjesh të vazhdueshme nga Shoqata atdhetare “Çamëria” dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, Çështja Çame ekziston zyrtarisht si fusnotë udhërrëfyese në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra si një çështje e pazgjidhur ende, e cila mund të jetë boshti i një fqinjësie të mirë dhe të sinqertë, nëse gjen zgjidhjen e vërtetë. Dhe kush mund t’ua tregojë këtë udhë? Kush ka detyrë dhe detyrim, por dhe mundësinë për t’ë rrëfyer rrugën e zgjidhjes së Çështjes Çame? Ja një pyetje që u vihet sot intelektualëve, politikanëve, akademikëve të dy vendeve fqinje. Këtë rrugë duhet ta gjejnë intelektualët dhe politikanët e rinj nëpërmjet njohurisë të historisë së vërtetë, të shkaqeve që tragjedinë çame, për të cilën më së shumti është heshtur deri më sot. Historia e popullit shqiptar dhe në veçanti e shqiptarëve të Çamërisë ende nuk është e shkruar e tëra. Akoma mbeten të panjohura shumë shkaqe dhe shumë prirje tendencioze, nga të cilat disa konsiderohen të justifikuara, e të tjera të pajustifikuara, me gjithë se nuk duhet pranuar as edhe një justifikim në fshehjen a shtrembërimin e historisë së tragjedisë të shqiptarëve të Çamërisë. E pra, dalja në dritën e diellit e Çështjes Çame ka ardhur prej disa politikanëve dhe intelektualëve, të cilët janë goditur nën brez nga politikanët e gardës së vjetër të llojit Kastriot Islami. Nuk ka shumë që ky i fundit ju vërsul me gjithë ato fjalë fyese rreth Çështjes Çame Ditmir Bushatit, mëri shkaktuar prej përgjigjes që kryediplomati i dha ambasadores greke në Tiranë.
Çështja Çame nuk është thjeshtë një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike, ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka patur disa dëbime me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936-1938 dhe ajo më tragjikja e 1944-1945 që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945.
Zgjidhja paqësore e Çështjes Çame sa më shpejt, do çlironte grekët nga ankthi i ndërgjegjes së sëmurë prej krimit. Grekët duke qenë të qartë se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa kurrfarë faji, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, përherë janë të dënuar të jetojnë me ankth, brengë për gjëmën e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shiten si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit të kryer.
Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame nis si fillim me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kjo do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat e parë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurtë. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.