Çështja e shndërrimit të FSK-së në FAK, të jetë më serioze


E hënë, 14 Shtator 2015

Çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) ka qenë temë diskutimi në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme të Kuvendit

Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që kjo çështje të trajtohet më me seriozitet dhe të forcohet ligji. E gjithashtu u shtrua si çështje se a është e mundur që FSK të shndërrohet pa e prekur Kushtetutën.

Anëtari i Komisionit, Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, tha se kjo çështje ka qenë jo rrallë herë pjesë e retorikës së Qeverisë për ta sjellë në vëmendje të opinionit.
Ai theksoi se Komisioni duhet të reflektojë që në komision të mos sillet shndërrimi i FSK-së në FAK vetëm si lojë e retorikës politike, por siç tha, duhet të forcohet ligji ekzistues dhe të ketë iniciativa të tjera për ta bërë ushtrinë e Kosovës.

Për këtë çështje, anëtari i Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Çuni, tha se Qeveria e ka disponimin për shndërrimin e FSK-së në FAK, por siç tha, të gjithë e dinë se cilat janë limitet dhe kushtet.

Shndërrimin e FSK-së në FAK, e quajti temë të ndjeshme deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo, kërkoi që kjo çështje të trajtohet me një seriozitet më të madh.
Musliu përpos kësaj propozoi që kjo çështje të jetë një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjet e ardhshme për të debatuar më gjerësisht.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, tha se komisioni për punë të brendshme do të kryej detyrën e vet në momentin që do të vijë ligji nga qeveria. Në mbledhjen e sotme u shqyrtua plani i punës për sesionin vjeshtor.

Etiketa: , ,
Të fundit