Çfarë janë ketonet dhe çfarë di shkenca deri tani për ndikimin e tyre në shëndet?


E shtunë, 25 Prill 2026
Çfarë janë ketonet dhe çfarë di shkenca deri tani për ndikimin e tyre në shëndet?

Nëse filloni kërkimin në Google me “çfarë janë ketonet dhe cilat janë përfitimet shëndetësore të ketoneve”, do të gjeni dhjetëra rezultate që premtojnë gjithçka, nga kontrolli i epilepsisë deri te përmirësimi i shëndetit të zemrës dhe ndërtimi më efikas i muskujve në palestër

Studiuesit nga University of Alberta vendosën të shqyrtojnë provat për të kuptuar se si biologjia e ketoneve, përfshirë terapitë e bazuara në ketone, mund të ndikojë në trajtimin e sëmundjeve kardiometabolike, përfshirë diabetin e tipit 2, tensionin e lartë të gjakut dhe sëmundjen koronare të arterieve. Lajmi i mirë është se po zhvillohen shumë hulumtime, por shumë prej tyre ende nuk japin përfundime bindëse.

Shumica e njerëzve mësojnë më shumë për ketonet përmes dietës ketogjene

Ketonet, ose trupat ketonikë, janë një lloj “karburanti alternativ” që trupi e prodhon kur i mbaron karburanti i tij kryesor – sheqeri.

Shumica e njerëzve mësojnë më shumë për ketonet përmes dietës keto. Kjo është një dietë me përmbajtje të lartë yndyrash dhe me pak karbohidrate, e cila e detyron trupin të djegë yndyrat për energji, duke prodhuar ketone gjatë këtij procesi. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se ketonet janë pjesë e biologjisë normale. Kur marrja e ushqimit bie gjatë agjërimit, ushtrimeve fizike dhe disa sëmundjeve, trupi ndryshon dhe fillon të prodhojë ketone në mëlçi, kryesisht për ta mbajtur trurin aktiv, por edhe për t’i furnizuar organet e tjera me energji, shpjegon Amir Tabatabaei Dakhili, profesor në Fakultetin e Farmacisë dhe Shkencave Farmaceutike, transmeton Telegrafi.

Ketonet e bëjnë gjakun acidik, gjë që është e rrezikshme për jetën

Ketonet u zbuluan për herë të parë te njerëzit me diabet të tipit 1 të pakontrolluar, prandaj shpesh lidhen me shëndet të dobët.

Insulina jo vetëm që rregullon glukozën, por edhe e mban nën kontroll prodhimin e ketoneve, kështu që pa insulinë nuk ka asgjë që t’i rregullojë ato. Ketonet e bëjnë gjakun acidik, gjë që është e rrezikshme për jetën, paralajmëron profesori Tabatabaei Dakhili.

Në vitet e fundit, suplementet me ketone janë përdorur me sukses për të ulur krizat te njerëzit me epilepsi rezistente ndaj barnave. Manipulimi i niveleve të ketoneve po ashtu tregon potencial në mbrojtjen e zemrës dhe përmirësimin e sheqerit në gjak te personat me diabet të tipit 2. Profesori Tabatabaei Dakhili ishte studente pasuniversitare e Canadian Institutes of Health Research pranë John Ussher, në departamentin kërkimor për farmakoterapi të metabolizmit energjetik në obezitet, kur ekipi identifikoi një bar që ulte sheqerin në gjak te minjtë duke ndryshuar mënyrën se si muskujt e tyre digjnin karburantin.

Duke bërë që muskujt të mbështeteshin më pak te ketonet dhe më shumë te glukoza, trajtimi ndihmoi në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Kjo ndodhi në vitin 2020. Që atëherë, grupi e ka përmirësuar përbërjen fillestare dhe ka zhvilluar një version të gjeneratës së ardhshme që ul përdorimin e ketoneve në organet periferike, duke kufizuar njëkohësisht efektet në tru. Grupi më pas e optimizoi barin dhe krijoi një tjetër që zvogëlon oksidimin e ketoneve në organet periferike, por jo në tru.

Një tjetër fushë ku ketonet tregojnë potencial klinik është pamjaftueshmëria e zemrës

Një ekip tjetër nga University of Alberta në Australi po zhvillon një provë klinike për përdorimin e suplementeve me ketone për mbrojtjen e muskulit të zemrës te njerëzit që marrin semaglutid në produkte për humbje peshe si Ozempic, Wegovy dhe Rybelsus.

Një tjetër fushë ku ketonet tregojnë premtim klinik është pamjaftueshmëria e zemrës. Profesori Tabatabaei Dakhili thekson se një numër gjithnjë e më i madh studimesh paraklinike dhe studimesh të hershme te njerëzit tregojnë se ketonet mund të mbështesin funksionin e zemrës në disa forma të pamjaftueshmërisë së zemrës, megjithëse mekanizmat dhe përfitimet afatgjata klinike ende po studiohen.

Sa i përket përmirësimit të performancës gjatë ushtrimeve, forcimit të shëndetit të trurit apo uljes së inflamacionit përmes përdorimit të ketoneve, profesori Tabatabaei Dakhili thotë se provat klinike janë ende të kufizuara ose të përziera. Ai thekson se ketonet janë gjerësisht të disponueshme, por zakonisht shiten si suplemente ose produkte natyrale shëndetësore, e jo si barna të miratuara për përmirësimin e performancës fizike në popullatën e gjerë. Suplementet janë të shtrenjta dhe me veprim të shkurtër, thotë ai, dhe mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara në stomak që në fakt mund ta pengojnë ushtrimin. Disa studime mbi performancën fizike kanë qenë premtuese, por studimet e mëvonshme kanë dhënë rezultate të përziera.

Shumica e studimeve janë bërë me sportistë të stërvitur, kështu që ndikimi te personi mesatar nuk është dëshmuar. Nevojiten shumë më tepër studime për të vërtetuar efikasitetin në këtë fazë, thekson profesori Tabatabaei Dakhili.


Burimi: mesazhi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit