www.prizrenpost.com është në shitje.
Të gjithë të interesuarit mund të na kontaktojnë në:
info@prizrenpost.com ose +90 507 902 75 51

Me respekt,
Prizren Post

Çfarë qëndrimi do të mbajnë Anton Quni, Arben Gashi dhe Nait Hasani për demarkacionin?

Prizren Post | 10:31 - 06.12.2017

Tani që u bë publik raporti me të gjeturat e Komisionit për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit me Malin e Zi, dhe Qeveria miratoi vendimin për dërgimin e Projektligjit në Kuvend, demarkacioni pritet që së shpejti të dalë për votim në Kuvend. Por, nuk dihet saktësisht nëse kundërshtuesit e mëdhenj të Marrëveshjes, ligjvënës nga PDK-ja e LDK-ja, kanë mbetur akoma të tillë.

Gazeta Express ka kontaktuar disa prej deputetëve që mandatin e kaluar edhe pse ishin në partitë e që kishin pushtetin, kishin dalë kundër Demarkacionit.

Anton Quni, Arben Gashi nga LDK-ja dhe Nait Hasani nga PDK-ja, ishin disa prej deputeteve të pozitës në legjislaturën e kaluar, që haptas e kundërshtonin Marrëveshjen e Demarkacionit të nënshkruar në vitin 2015.

Të kontaktuar për Express, këta deputetë kanë thënë se deri në mbajtjen e seancës kur do të dalë në votim Demarkacioni, nuk preferojnë që të flasin rreth qëndrimeve të tyre.

Hasani i PDK-së thotë se deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk i është dhënë ndonjë kopje e raportit për të lexuar çfarë realisht përmban, prandaj nuk dëshiron të flasë me aq çka u bë publike dje.

Ai tregon se qëndrimin e tij do ta bëjë të ditur në ditën kur do të mbahet seanca, ku do të provohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi.

Edhe deputetët e LDK-së thonë se vlerësimin e raportit të ish-kolegut të tyre, Shpejtim Bulliqit, do ta bëjnë në seancë, kurdo që kjo mbahet. Gashi e Quni të kontaktuar nga Express nuk kanë preferuar të flasin më shumë.

Ndryshe, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij nuk ka ndërruar qëndrimin pozitiv ndaj Marrëveshjes së Demarkacionit dhe se PDK-ja voton pro saj.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi”, ka thënë dje Veseli pasi Qeveria procedoi në Kuvend Projektligjin e Marrëveshjes së Demarkacionit bashkë me raportin e nxjerrë nga Komisioni i Bulliqit.

Edhe Isa Mustafa është shprehur se LDK-ja është pro Marrëveshjes, edhe pse në partinë e tij ka pasur më shumë zëra që kanë kundërshtuar demarkacionin.

Etiketa: