Chievo zyrtarizon Berishën, portieri e mohon


E mërkurë, 31 Korrik 2013

Prishtinë, 30 korrik – Skuadra e Serie A të Italisë, Chievo në faqen e saj zyrtare ka publikuar lajmin se ka firmosur kontratë trevjeçare me portierin kosovar Etrit Berisha dhe se ai do t’i bashkohet ekipit në janar. Mirëpo, nuk ka vonuar shumë dhe Berisha, ish-portieri i 2 Korrikut, nëpërmjet rrjetit social ka mohuar këtë lajm, duke thënë se nuk ka firmosur kontratë me Chievon.

“Nuk kam arritur marrëveshje me asnjë klub. Me Chievon kemi pasur një marrëveshje, mirëpo nuk shkoi deri në përfundim. Andaj jam ende në kërkim të klubit të ardhshëm”, ka shkruar 24-vjeçari në “Facebook”.

Menaxheri i Berishës, Elver Raça, ka thënë se portieri kosovar është mashtruar nga disa agjentë italianë të ndihmuar nga shqiptarët. Ai thotë se kontrata e Berishës me Chievon nuk është valide dhe se reprezentuesi i Shqipërisë pritet t’i bashkohet Lazios qysh këtë verë. Kontrata e Berishës me Chievon është firmosur më 28 qershor.

Pos dy skuadrave italiane, në listën e skuadrave të interesuar për Berishën ishte përmendur edhe ajo franceze, Monaco.

“Etrit Berisha nuk shkon në Chievo. Ai është i mashtruar, e kanë detyruar të nënshkruante kontratë pa ditur se çfarë po firmoste. Etritit i kanë thënë të firmoste një marrëveshje, se nëse vjen në Chievo të mos ndryshonte çmimin më pas, pasi vërejtën edhe interesimin e Lazios. Ajo kontratë nuk është valide.

E ka firmosur, por nuk e ka ditur se çka po firmoste, pasi ka munguar përkthyesi. Madje, edhe një kopje e kontratës nuk i është dhënë. Chievo ka bërë shkelje, pasi nuk ka biseduar fare me Kalmarin”, ka thënë Raça për gazetën.

Berisha ka kontratë me skuadrën suedeze Kalmar deri në fund të këtij viti.
“Janë disa menaxherë italianë me ndihmën e disa shqiptarëve që e kanë shtyrë për të firmosur kontratën.

Kontrata do të prishet qind për qind, pasi ka firmosur me lojtar në afatin kur nuk kishin mbetur më pak se gjashtë muaj deri në fund të kontratës me klubin aktual, siç thonë rregullat. Etrit Berisha do të shkojë një milion për qind në Lazio. Transferimi mund të realizohet edhe gjatë verës.

Oferta e Lazios ka shkuar edhe zyrtarisht te Kalmari. Nesër do të bëj ankesë edhe në Federatën e Futbollit të Italisë për këtë çështje”, ka thënë Raça.

Të fundit