E hënë, 12 Dhjetor 2022
PRISHTINË – Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojnë sot në Prishtinë udhëheqësit e Republikës së Kosovës.
Takimet me zyrtarë të lartë të Qeverisë pritet t’i zhvillojnë në orët e vona të pasdites, ndërsa me udhëheqësit e opozitës do të takohen paraditen e së martës.
Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.
Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Etiketa: Aktuale, Amerika, Derek Chollet, Gabriel Escobar, Kosovë